BQE forcon euron – Monedha europiane, në nivelin më të lartë 2-vjeçar
Euro u ngjit në nivelin më të lartë në 2 vite, pas komenteve të kreut të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghit, i cili tha se zyrtarët do të diskutojnë ndryshime të mundshme të programit të blerjes së obligacioneve këtë vjeshtë.
Edhe pse presidenti i BQE nuk dha ndonjë datë për ndryshimin e programit lehtësues, investitorët presin që diskutimi të sjellë nisjen e tkurrjes monetare vitin që vjen.
Kjo i dha një nxitje euros, duke prekur 1.1658 kundër dollarit ditën e djeshme pas lajmërimit. Fuqizimi vazhdoi edhe përgjatë ditës së Premte, ku në hapje të sesionit tregtar europian, valuta e përbashkët preku 1.1678 kundër dollarit.
Tregjet presin ende që Banka Qendrore Europiane të rrisë normat e interesit vitin që vjen, pavarësisht se lëvizja është shtyrë për më vonë se vlerësimet fillestare.
Tashmë tregjet synojnë për Tetorin 2018, nga muaji Korrik që vlerësohej më parë. Analistët e UniCredit thonë se valuta e 19 vendeve të Eurozonës mund të arrijë në 1.20 kundër dollarit amerikan brenda këtij viti, për shkak të përmirësimit të të dhënave për ekonominë e rajonit dhe dobësisë së perspektivës së investitorëve në SHBA.
Sipas tyre, euro po shkon drejt ekuilibrit, pasi ka qenë e zhvlerësuar për një kohë të gjatë.
Investitorët presin që reduktimi i programit të blerjes së aktiveve të nisë herët gjatë 2018-ës, ndjekur më vonë nga rritja graduale e normave të interesit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.