Britania rifiton vrull – Ekonomia përshpejtohet në Janar. Perspektiva mbetet e zymtë
Ekonomia britanike është përshpejtuar në muajin Janar, megjithatë perspektiva qëndron e zymtë përpara Brexit.
Industria gjigante e shërbimeve në vend u rimëkëmb në Janar, ndërsa manifaktura tregoi gjithashtu një fuqizim, pasi fabrikat kanë shtuar inventarët për t’u mbrojtur nga Brexit. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.5% gjatë muajit, që është rritja më e madhe në 2 vite. Për vitin 2019, ekonomia britanike pritet të tregojë rritjen më të ngadaltë në 10 vite, edhe nëse arrin një marrëveshje të minutës së fundit për të zbutur daljen nga Bashkimi Europian.
Ndërkohë që pak më shumë se 2 javë kanë mbetur, Kryeministrja Theresa May po përpiqet përsëri të kalojë marrëveshjen e saj në Parlament. Nëse vendi del pa marrëveshje, do të pësojë një goditje të madhe ekonomike. Kryeministrja ka mbajtur të hapur mundësinë e shtyrjes së afatit të 29 Marsit, nëse plani i saj dështon. Zyra e Statistikave tregoi se sektori i shërbimeve, që përbën 80% të ekonomisë në sektorin privat, u rrit me 0.3% në Janar.
Prodhimi në manifakturë u rrit për të parën herë në 7 muaj, me një normë prej 0.8%. Ndërtimi, që zë 6% të ekonomisë britanike, u rrit me 2.8% në Janar me bazë mujore. Të dhënat treguan se ngadalësimi i ekonomisë botërore po ndikon edhe te Britania. Defiçiti tregtar i vendit u rrit në nivelin më të lartë që prej mesit të 2017-ës, në 13 miliardë paund.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.