Brukseli shpall “luftë” – “Londra të tregohet e ndershme, duhet të paguajë”
Përgjigja e Bashkimit Europian ndaj pretendimeve të Britanisë për një proces të qetë dhe pa kosto të Brexit ka qenë e prerë.
Ishte vetë Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, ai që bëri të qartë nga Malta se, Britania do të duhet të paguajë.
“Në rast se, nuk bëhen progrese të konsiderueshme, kryesisht sa i përket buxhetit dhe kufijve, atëherë nuk do të ketë asnjë negociatë për tregtinë e lirë“-iu përgjigj Donald Tusk, Theresa May.
“Çdo periudhë tranzicioni që ka për qëllim të zbusë daljen e Britanisë nga unioni do të kërkojë që Mbretëria të paguajë para dhe të pranojë ligjet europiane”, shtoi ai.
Reagimi mjaft i ashpër i Brukselit vjen pas paralajmërimeve të njëpasnjëshme se, nuk do të ketë ndarje të lehtë dhe se Britania duhet të marrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë.
Të gjitha këto përfshihen në draftin paraprak, i cili do të diskutohet në detaje gjatë samitit të jashtëzakonshëm të 29 prillit në Bruksel, mes 27 vendeve anëtare.
“Ne duam të bisedojmë vetëm për ndershmërinë dhe angazhimet. Nuk kam dyshime se, të dyja palët duan që të tregojnë se, do të jenë të ndershme me njëra tjetrën gjatë procesit të negociatave“, nënvizoi Donald Tusk.
Drafti i Brukselit pritet të shkaktojë mjaft reagime në Mbretëri. Pretendimi se, Britania duhet të paguajë kontributet buxhetore dhe juridike, deri në momentin që do të dalë formalisht, pra në 2019, do të shkaktojnë zemëratë në ishull.
Nuk duhet harruar se, 52% e britanikëve votuan pro brexit pikërisht për shkak të këtyre pagesave, që i konsideruan si jo të arsyeshme.
Vetëm një ditë më parë, ministri i Brexit, David Davis, deklaroi se, Britania nuk do të paguajë asnjë dyshkë, nga rreth 50 miliardë paund që mund të jenë këto detyrime.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.