BSH vlerëson bankat gjatë pandemisë – Tregues të shëndetshëm, sektori ka kapacitete të mjaftueshme
Autoriteti qendror i politikave monetare në vendin tonë, ka publikuar raportin më të fundit të stabilitetit financiar. “Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht sfidave që paraqiti situata e pandemisë në vend. Pasiguria për zhvillimet ekonomike në kushtet e pranisë së pandemisë mbetet e konsiderueshme, dhe të tilla mbeten edhe sfidat për veprimtarinë bankare e financiare. Megjithatë, vlerësimet e industrisë bankare dhe ushtrimet e provës së rezistencës, sugjerojnë që kapacitetet e sektorit bankar për t’u përballur me këto sfida janë aktualisht të mjaftueshme”-thuhet në raport. Në tregun ndërbankar, vëllimet e tregtimit u rritën, por normat e interesit mbetën pranë nivelit të normës bazë të interesit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.
Gjatë periudhës, sipas të dhënave nga bankat, pozicioni tradicional financiar i individëve si kreditorë neto dhe i bizneseve si debitorë neto ndaj sistemit financiar është zgjeruar. Rritja e depozitave dhe kredive ka qenë pozitive për të dy sektorët, por rritja e depozitave ka qenë shumë më e lartë për individët, ndërsa rritja e kredisë ka qenë e përqendruar tek bizneset. Për familjet huamarrëse, gjatë periudhës është vënë re një rënie e aftësisë paguese. Për të ardhmen e afërt, duket sikur kërkesa për borxh do të jetë më e lartë, nga familje që nuk kanë pasur borxh më parë. Tek ndërmarrjet, përgjigjet e vrojtimit përkatës raportojnë një ndikim të konsiderueshëm nga pandemia, e cila ka paraqitur sfidën kryesore të tyre gjatë periudhës.
Aktiviteti i sistemit financiar u zgjerua me gati 4.4 pikë përqindje (pp) gjatë periudhës, duke u ngjitur në 111.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në këtë rritje, sektori bankar kontribuoi me 3.9 pikë përqindje. Treguesit e performancës së sistemit financiar duke përfshirë ata të kapitalizimit, të përfitueshmërisë, të likuiditetit dhe të cilësisë së aktiveve mbeten në nivele të mira.
“Gjatë periudhës, veprimtaria e sektorit bankar u zgjerua me 4% dhe me 7% kundrejt një viti më parë. Kontributin kryesor në rritjen e aktiveve e ka dhënë zgjerimi i investimeve në tituj dhe i aktivitetit kreditues”-thotë ndër të tjera Banka e Shqipërisë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.