Bursa private shqiptare, Ahmetaj: Mbështetje të plotë në zhvillimin e saj
Hapja e bursës së parë private në Shqipëri është një iniciativë që po gjen mbështetjen e drejtuesve kryesorë të sistemit financiar në vend.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, iu përgjigj interesit të TV SCAN, se hapja e saj është në rrugën e mbarë për t’u bërë një bursë e plotë në vend. Sipas tij, shumë shpejt kjo platformë do të zgjerojë gamën e tregtimit të aksioneve.
“Për sa i përket bursës, unë vet kam qenë një nga mbështetësit kryesor të hapjes së bursës. Unë besoj që akoma është një embrion dhe dalëngadalë ajo iniciativë ka për tu zhvilluar në një bursë të plotë për Shqipërinë, ku jo vetëm letrat me vlerë të qeverisë mund të tregtohen, por edhe bizneset e certifikuara mund të fillojnë të financohen nëpërmjet zgjerimit të kapitaleve, emetimit të aksioneve. Dhe një fazë e tretë, mund të ketë që aksionet e kompanive rajonale apo edhe globale nëpërmjet marrëveshjeve që mund të ketë kjo platformë të tregtohen edhe në Shqipëri drejtpërsëdrejti”.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi bursën e parë private ALSE, në muajin korrik.
Ajo shihet si një zhvillim shumë i rëndësishëm për tregun financiar shqiptar, pasi ju mundëson bizneseve të rrisin kapitalin duke tërhequr aksionerë të rinj.
Nga ana tjetër, investitorët do të kenë mundësinë të investojnë në një treg të rregulluar, që ofron besim dhe transparencë të plotë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.