Bursat luhaten lehtë, nafta zgjeron humbjet
Tregjet europiane janë mbyllur me ndryshime të vogla në sesionin e sotëm, për shkak se investitorët po presin samitin e G20, që zhvillohet këtë fundjavë në Argjentinë.
Sektori teknologjik dhe ai bankar, realizuan performancën më të mirë, për shkak të pritshmërive se, Donald Trump dhe Xi Jinping do të përpiqen të shmangin një luftë tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Në fokus të investitorëve është edhe Brexit, pasi kryeministrja Theresa May, po përpiqet të marrë mbështetjen e parlamentit për marrëveshjen e nënshkruar me BE të dielën.
Ndërkohë, çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie edhe në sesionin e sotëm, pasi të dhënat e publikuara në SHBA treguan një rritje tjetër të rezervave të naftës.
Sipas të dhënave të Administratës për Informimin mbi Energjinë, rezervat e naftës u rritën me 3.6 milionë fuçia, gjatë javës së kaluar, që ishte java e dhjetë me radhë në rritje.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.