COVID – 8 shtete akuzojnë Kim Jong Un për shkeljen e të drejtave të njeriut përmes koronavirusit
Tetë vende, përfshirë Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara, akuzuan Korenë e Veriut për përdorimin e pandemisë së koronavirusit për “goditje të mëtejshme të të drejtave të njeriut”, sipas një deklarate të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, lëshuar pas një video – konference me dyer të mbyllura.
Takimi virtual i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (UNCS), i cili u organizua nga Gjermania, vjen pas raporteve të ekzekutimeve në rritje në Korenë e Veriut në lidhje me pandeminë, si dhe kontrollet e rrepta të lëvizjes brenda dhe rreth kryeqytetit, Pyongyang.
Shtatë anëtarë të Këshillit të Kombeve të Bashkuara – Gjermania, Belgjika, Republika Dominikane, Estonia, Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Japoninë – thanë në një deklaratë të përbashkët pas takimit, se njerëzve në Korenë e Veriut iu janë “hequr pothuajse të gjitha të drejtat e tyre të njeriut”, përfshirë liritë e shprehjes, tubimi paqësor, lëvizja, feja apo besimi.
“Situata e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut është e tmerrshme dhe përkeqësohet nga dita në ditë” thuhej në deklaratë, e cila u lexua nga ambasadori gjerman i Kombeve të Bashkuara, Christoph Heusgen, i shoqëruar nga të dërguarit e Këshillit, nga shtatë anëtarët, plus Japonia.
Tetë vendet dënuan gjithashtu kryeqytetin Pyongyang për përparësinë e programit të saj të armëve bërthamore “mbi nevojat e njerëzve të saj”, duke shtuar se “shkeljet e gjata, sistematike, të përhapura dhe të ashpra të të drejtave të njeriut” janë një “kërcënim serioz” për sigurinë ndërkombëtare.
“Izolimi i Koresë së Veriut nga komuniteti ndërkombëtar po përkeqëson në mënyrë të pashmangshme ndikimet e pandemisë në popullatën e Koresë së Veriut” vazhdohet në deklaratë.
Kur koronavirusi filloi të përhapet në janar, Koreja e Veriut mbylli kufirin e saj me Kinën, partneri i saj më i madh tregtar dhe bamirës për ndihma.
Qeveria e diktatorit Kim Jong Un pretendon se nuk ka pasur asnjë rast të vetëm koronavirus në “tokën” e Koresë së Veriut, diçka që diskutohet nga ekspertët e jashtëm, duke marrë parasysh lidhjet shoqërore dhe ekonomike të vendit me Kinën.
Një mjek i cili u largua nga Koreja e Veriut në vitin 2012 i tha një ekipi hetimor të Deutsche Welle se natyrisht njerëzit në Korenë e Veriut kanë vdekur nga koronavirusi.
“Sistemi i kujdesit shëndetësor është shumë i dobët. Ata nuk duan ta tregojnë këtë para botës. Koreja e Veriut është një muze i viruseve” tha Dr. Choi Jung Hun.
Një kombinim i mbylljes së Koresë së Veriut për shkak të pandemisë, disa katastrofave natyrore gjatë verës dhe sanksioneve të vazhdueshme ndërkombëtare, kanë dëmtuar ekonominë e vendit.
Në nëntor, inteligjenca e Koresë së Jugut njoftoi se Kim kishte urdhëruar mbylljen në Pyongyang dhe urdhëroi ekzekutimin e të paktën dy personave.
Sipas një ligjvënësi të Koresë së Jugut, duke cituar Agjencitë e Inteligjencës, një këmbyes parash në Pyongyang u ekzekutua në tetor, pasi u mbajt përgjegjës për rënien e kursit të këmbimit dhe një zyrtar tjetër, u ekzekutua në gusht, për shkeljen e kufizimeve të importit.
Burimi origjinal: Deutsche Welle
Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.