Demarkacioni me Malin e Zi, Qeveria e Kosovës shtyn për të mërkurën shqyrtimin e projektligjit
Qeveria e Kosovës ka shtyrë për të mërkurën shqyrtimin e Projektligjit për Demarkacionin me Malin e Zi.
Lajmi është bërë i ditur në fillim për mediat nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi. “Mbledhja e qeverisë është shtyrë për të mërkurën”, ka thënë Abrashi ndërsa dilte nga salla e mbledhjes.
Më pas Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se mbledhja e caktuar të mbahej sot është shtyrë.
“Pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordësimi që mbledhja e kabinetit qeveritar, ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën. Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar të qeverisë
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.