Denaj dhe Sejko, “takim” me BB-FMN – Ekonomia shqiptare në rënie me vetëm 5% këtë vit
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko si dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, zj. Anila Denaj, zhvilluan hënën takime online me zj. Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore dhe me z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit për Europën në FMN, në kuadër të Mbledhjes Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Bankës Botërore (BB). Takimet u fokusuan në ndikimin e pandemisë në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko dhe Ministrja Denaj u shprehën se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit, sidomos në tremujorin e dytë të vitit 2020. “Shumica e indikatorëve ekonomikë pritet të ndikohen nga pasojat negative të pandemisë këtë vit. Ndërkohë, në perspektivën afatmesme, kohëzgjatja dhe ndikimi i pandemisë do të jenë thelbësore në përcaktimin e rrugës së rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare, e cila pritet të fillojë rimëkëmbjen në vitin 2021”-nënvizuan Denaj dhe Sejko. Sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se pandemia e gjeti sistemin me tregues të mirë financiarë, si dhe me një nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti.
Ky sektor, theksoi Guvernatori, ka vijuar pa asnjë ndërprerje aktivitetin normal dhe ka qëndruar i gatshëm të japë kontributin e nevojshëm për përballimin dhe tejkalimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19. Ai shtoi se tregjet e brendshme financiare paraqiten të qeta dhe kanë mbizotëruar norma interesi të qëndrueshme. Ministrja Denaj ndërkohë vlerësoi se politika fiskale gjithashtu ka pasur një rol të rëndësishëm në trajtimin e situatës, duke mbështetur financiarisht qytetarët dhe duke ofruar mbështetje me likuiditet për bizneset e prekura.
Ministrja Denaj theksoi se pavarësisht kontraktimit të PBB-së në 6 muajt e parë të vitit, prej -10.2%, parashikimet për vitin mbeten në një rënie me vetëm -5%, shoqëruar me një nivel të papunësisë prej 12.5%. Përfaqësuesit e BB-së dhe FMN-së nga ana e tyre vlerësuan kontributin e dhënë nga autoritetet shqiptare në menaxhimin e goditjes së pandemisë në ekonomi veçanërisht nëpërmjet harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare, mbështetjen e dhënë për qytetarët dhe bizneset e cënuara nga goditjet, si dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.