Deputetja e PD-së në Durrës, Kadiu: Rreth 8000 biznese rrezikojnë mbylljen sezonin e ardhshëm
Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu ka deklaruar se nëse biznesi i vogël nuk ndihmohet, jo vetëm që do të rrënojë ekonominë e qytetarëve, por do të ndikojë edhe në ngadalësimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Nuk mjafton ajo çka artikulon prej kohësh opozita, FMN, Banka Botërore, teka së fundmi edhe BERZH raportoi se nëse biznesi i vogël nuk ndihmohet integrimi në BE do të ngadalësohet”, – u shpreh Kadiu.
Në deklaratën e saj Kadiu shton më tej se janë rreth 8000 biznese të vogla të cilat do të përfshihen në skemën e TVSH-së.
“Pas një takimi me një sërë biznesesh, të cilat do të bëhen objekt i TVSH-së, konstatova listat e tregtarëve për blerjet me ‘veresi’ të cilat janë të pafundme duke i degraduar ata drejt falimentimit. Në një bashkëbisedim me qytetarët vura re se, ata kanë listuar një listë të gjatë mbi barrën e tepërt të shtuar tek secili prej tyre: Na rritën tatim fitimin, na rritën kostot administrative, na rritën taksën e pronës, na rritën çmimin e ujit, na kërkojnë të blemë sahate uji të reja, na rritën çmimin e energjisë, na rritën çmimin e naftës, na rritën koston e transportit, më pak njerëz na afrohen tek bizneset tona; më e vogël fuqia blerëse e secilit konsumator, më të larta çmimet e produkteve të blera për tregti, na mbytën e thënë ndryshe, falimentojmë, fëmijët nuk i ushqejmë dot më”, – shton më tej Kadiu.
Sipas konstatimit të deputetes së PD-së në Durrës, nga 15 mijë biznese që operojnë në këtë qark, 11 mijë janë sipërmarrje të vogla, duke shtuar se në sezonin e ardhshëm rrezikohet mbyllja e 8 mijë prej tyre.
“Në qarkun e Durrësit, kam konstatuar që operojnë rreth 15 000 mijë biznese, nga të cilat afro 11000 janë biznes i vogël. Ai biznes ku vetëm biznes nuk është por një aktivet me të cilën një familje normale mban me bukë fëmijët. Rrezikojnë rreth 8000 biznese të mbyllen në sezonin e ardhshëm”, – u shpreh Kadiu.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.