Dita e vendimit për Francën – Votuesit përballë populizmit dhe globalizimit, Macron kryeson në sondazhe
Votuesit francezë do të zgjedhin ditën e sotme mes kandidatit të qendrës pro-Bashkimit Europian dhe kandidates së djathtë euroskeptike e anti-emigrim. Një prej këtyre do të udhëheqë ekonominë e dytë më të madhe të Europës për 5 vitet e ardhshme dhe të dhënat paraprake tregojnë se do të jetë Emmanuel Macron, ish ministri i Ekonomisë.
Një fitore e Macron do të frenonte rrymën populiste dhe anti-globalizim, që solli daljen e Britanisë nga BE dhe fitoren e Donald Trump. Macron, që kërkon të thellojë integrimin në BE, pritet të fitojë me 61.5 deri në 63% të votave, tregojnë sondazhet e fundit. Nëse ndodh ndonjë surprizë dhe fiton Marine Le Pen, e ardhmja e Bashkimit Europian do të jetë në rrezik, duke marrë parasysh dëshirën e saj për të mbyllur kufijtë, zëvendësuar euron dhe prishur paktet tregtare. Edhe nëse kandidatja anti-euro mposhtet, votat e saj ka gjasa të arrijnë dyfishin herës fundit kur partia e saj doli në raundin e dytë në vitin 2002.
Deri në mesditë, të dhënat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se 28.23% e votuesve janë paraqitur, që është shifra më e ulët që prej vitit 2002. Anketuesit presin që abstenimet të arrijnë nivele të larta te votuesit e majtë, megjithatë është ende e paqartë se si kjo do të ndikojë te rezultati përfundimtar. Projeksionet kanë qenë të sakta, duke marrë parasysh rezultatin e raundit të parë.
Debati televiziv ditën e mërkurë ka rritur mbështetjen e tregjeve financiarë drejt Emmanuel Macron. Investitorët thonë se kanë rritur ekspozimin në titujt e kapitalit, duke blerë aksione franceze pas raundit të parë.
Megjithatë, edhe nëse projeksionet dalin të sakta dhe francezët zgjedhin kandidatin e qendrës, Macron ka thënë se e pret një periudhë të vështirë. Thuajse 60% e atyre që votojnë për Macron, thonë se po e bëjnë këtë që të ndalojnë kandidaten tjetër për të udhëhequr ekonominë e dytë më të madhe të Europës dhe jo prej mbështetjes së plotë të ish-bankierit. Fushata u godit nga një tjetër surprizë ditën e Premte, ku ekipi i Macron lajmëroi se një sulm kibernetik kishte nxjerrë email-et, dokumente dhe informacione në lidhje me financimin e fushatës online.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.