Divergjenca SHBA-Eurozonë/Ekonomia dhe politikat monetare do të vazhdojnë në drejtime të ndryshme
Ekonomitë e SHBA dhe Eurozonës qëndrojnë të ndara dhe të dhënat mbi Produktin e Brendshëm Bruto në ditët e ardhshme do ta theksojnë këtë hendek, gjë që nënkupton se politikat monetare do të vazhdojnë të lëvizin në drejtime të ndryshme në të dy anët e Altantikut.
Rritja ekonomike në SHBA pritet të jetë zgjeruar në tremujorin e dytë, prej fuqizimit të tregtisë dhe konsumit, ndërkohë që rimëkëmbja në Eurozonë me shumë gjasa ka humbur vrull.
Kjo vë në dukje divergjencën e 2 ekonomive. Banka Qendrore Europiane pritet të lajmërojë rritje të rreziqeve në takimin e radhës, gjë do të vonojë heqjen e stimujve monetarë.
Ndërkohë që banka ra dakord muajin e kaluar që të përfundojë skemën e blerjes së obligacioneve në fund të këtij viti, normat e interesit pritet të rriten në fund të vitit që vjen.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në rishikimin e rregullt të ekonomisë së Europës, paralajmëroi se rreziqet ndaj perspektivës janë serioze, duke shtuar mundësinë e një goditjeje nga Brexit dhe reformave nga qeveritë e Eurozonës.
Ekonomia e SHBA nga ana tjetër, pritet të arrijë rritjen më të lartë në 4 vite prej 4% në tremujorin e dytë, thuajse sa dyfishi i normës që u regjistrua në fillim të vitit.
Të dhënat për rritjen ekonomike do të ofrojnë mjaftueshëm prova për një rritje të normës bazë të interesit në Shtator dhe për një tjetër ndërhyrje më vonë gjatë Dhjetorit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.