“Doing Business” “nxin” Shqipërinë! Rënie me 19 vende, 9 indikatorë nga 10, në përkeqësim
Shqipëria regjistron një rënie drastike në raportin më prestigjioz në nivel global, atë të lehtësisë së të bërit biznes të Bankës Botërore.
Në raportin e sapo publikuar për 2020-ën, vendi ynë renditet i 82-ti ndër 190 ekonomi të botës, në vendin e tretë nga fundi në Europë, më mirë vetëm se Malta dhe Bosnje Hercegovina.
Një vit më parë, Shqipëria mbante vendin e 63-të, ç`ka do të thotë se në harkun e një viti ka humbur plot 19 pozicione.
Kjo është rënia e dytë më e madhe në historinë e këtij indikatori, pas vitit 2013. Me rënien e këtij viti, performanca e Shqipërisë në të bërit biznes rikthehet pranë nivelit të viteve 2011/2012, duke bërë që progresi i gjithë këtyre viteve të `fshihet` tërësisht.
Këto pozicione të humbura përkthehen drejtpërdrejtë në më pak investime të huaja, pasi raporti “Doing Business” i Bankës Botërore është kartolina më e mirë e secilit vend.
Kur flet për Shqipërinë, Banka Botërore evidenton faktin se reformat e kanë bërë më të lehtë që të merresh me biznes gjatë vitit të fundit, por nga ana tjetër janë ndryshimet e shpeshta ato që e vështirësojnë punën e sipërmarrjes në Shqipëri.
Performanca më e dobët për ekonominë shqiptare vjen në drejtim të lejeve të ndërtimit, që na rendit në vendin e 166-të në botë, nga vendi i 151-të i një viti më parë, apo vendi i 106-të i 2017-ës.
Përkeqësimi drastik në renditje duket se vjen kryesisht nga nën-indikatori i mbrojtjes së investitorëve të minoritetit.
Në këtë indikator kemi zbritur nga kreu i tabelës, pasi vjet ishim në vendin e 26-të në botë, në fund të saj, në të 111-tin sot. Edhe indikatori tjetër, ai i kontratave, ka pësuar një përkeqësim drastik.
Ndërkohë, ai i pagesës së taksave na rendit në vendin e 123-të në botë, ndërsa ai i hapjes së një biznesi në vendin e 53-të nga vendi i 50-të një vit më parë. Indiklatroi i vetëm në përmirësim është ai i marrjes së elektricitetit, nga vendi i 140-të në të 107-tin.
Pra, ndër 10 indikatorë vetëm një është përmirësuar, ndërkohë që disa kanë pësuar rënie drastike, ç`ka e ka bërë për rrjedhojë Shqipërinë bindshëm më pak tërheqëse për ata që duan të merren me biznes, e sidomos të huajt, pasi për Bankën Botërore vështirësitë janë të shumta, e madje shumë më të mëdha se vitet e kaluara.
Vetëm dy javë më parë, një tjetër raport mjaft prestigjioz, ai i konkurrueshmërisë globale fliste për një ëprkeqësim të vendit tonë me 5 pozizione në renditjen globale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.