Draghi apelon për kujdes: “Duhet të sigurohemi, pastaj të ndërhyjmë”
Ekonomia evropiane është në një fazë përmirësimi gradual, por nga ana tjetër, një kthesë në politikat monetare nuk është e justifikuar, deklaroi Mario Draghi.
Përpara se të ndërhyjë, si në normat e interesit ashtu edhe në programin e stimujve, institucioni duhet të jetë mjaftueshëm i sigurtë se, inflacioni po shkon realisht drejt objektivit të bankës, pranë dhe më poshtë se 2%, shtoi numri një i Bankës Qendrore Evropiane.
“Është ende shumë herët për shpallur fitoren në frontin e inflacionit”-nënvizoi ai. Gjatë muajit të kaluar, norma e inflacionit në Eurozonë i`u largua sërish objektivit të bankës, duke zbritur pranë 1.5%, nga 2% që ishte në muajin Shkurt, duke i dhënë të drejtë edhe kujdesit si dhe politikave të bankës qendrore.
Por nga ana tjetër, institucioni me bazë në Frankfurt dhe Berlini janë në një përplasje sa i përket momentit të shtrëngimit të politikave monetare. Jo më larg se e Mërkura, kreu i Bundesbank, Jens Weidmann, kërkoi një reduktim të programit të lehtësimit sasior në shkallë të gjerë.
Sa i përket ecurisë së eurozonës, Mario Draghi deklaroi se, është në një cikël pozitiv, por se në këtë cikël mund të kenë ndikim rreziqet gjeopolitike. Pas fjalëve të Draghit, monedha e përbashkët evropiane ka humbur ndjeshëm terren kundrejt dollarit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.