Draghi sinjalizon kujdes: Do lëvizim gradualisht, Eurozona ka ende nevojë për stimuj
Banka Qendrore Europiane duhet ta rregullojë politikën monetare në mënyrë graduale, ndërkohë që Eurozona ka ende nevojë për një mbështetje të konsiderueshme monetare, pavarësisht rimëkëmbjes së normave të rritjes dhe inflacionit, deklaroi kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi.
Ndër të tjera, ai shtoi se, fati i programit të blerjes së titujve varet nga kushtet globale të financimit.
“Në një kohë që ekonomia vijon të rimëkëmbet, Banka Qendrore Europiane mund ta shoqërojë diçka të tillë duke rregulluar parametrat e politikave të saj, jo duke i shtrënguar, por duke i mbajtur të pandryshuara”, shtoi ai.
Për Mario Draghin, inflacioni vijon ende të mbetet nën nivelet e kërkuara si pasojë e çmimeve të naftës dhe tregut të punës në Bashkimin Europian.
Komentet e numrit një të Bankës Qendrore Europiane mbështesin pritshmëritë e tregjeve se banka do të vijojë të rregullojë gradualisht politikat e saj në muajt në vijim, duke hapur ngadalë shtegun për një dalje nga programi i stimujve.
“Të gjitha shenjat tani sinjalizojnë një rimëkëmbje më të fortë dhe më të zgjeruar në Eurozonë. Forcat deflacioniste janë zëvendësuar nga ato reflacioniste”, nënvizoi numri një i Bankës Qendrore Europiane.
Pas këtyre komenteve, monedha e përbashkët europiane fitoi ndjeshëm terren kundrejt dollarit amerikan.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.