Dvorani kalon Vetting-un – “Gykata e Lartë, gjendja alarmante, shqyrtohen vetëm emergjencat”
Anëtari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani e ka përkufizuar alarmante situatën e krijuar nga mungesa e gjyqtarëve në këtë organ të drejtësisë. Ai tha se 6 anëtarët e mbetur organizohen në trupa si të munden për të bërë arritur shqyrtimin së paku të çështjeve më emergjente, ndërkohë që numri total i dosjeve në pritje është rreth 25 mijë.
Dvorani komentoi situatën e krijuar në Gjykatën e Lartë menjëherë pas konfirmimit në detyrë nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Atij ju desh të jepte shpjegime mbi një lapsus në deklaratën e pasurisë Vetting, të vitit 2017, ku ai nuk kishte pasqyruar kursimet e tij dhe të familjarëve, me një vlerë totale prej rreth 99 milionë lekësh.
Në përgjigje Dvorani shpjegoi se ishte vënë në dijeni të pasaktësisë vetëm gjatë verifikimit të deklaratave pas nisjes së procesit të Vetting-ut. Dvorani sqaroi se lapsusi për deklaratat e llogarive bankare kishte ardhur pasi ato qenë të njëjtat që dërgoheshin në ILDKPI rregullisht vit pas viti, dhe se për shkak të nxitimit nuk i kishte përfshirë ne deklaratën e fundit.
Ndërkohë që më tepër pasaktësi paraqiste deklarata e pasurisë së Astrit Faqollit, Gjyqtar pranë Gjykatës së Tiranës, edhe ai i konfirmuar të martën në detyrë. Pasaktësitë e tij lidheshin me disa llogari bankare, pasqyrimin e huave, si dhe me deklaratat e pasurisë për vitet 2005-2006 të pasqyruara në lekë të vjetra.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.