“Ekonomia e SHBA ka nevojë për stimuj”. Powell hedh poshtë shqetësimet për një flluskë të aktiveve
Kryetari i Rezervës Federale në SHBA, Jeromë Powell, refuzoi sugjerimet se mbështetja ekonomike rrezikon të krijojë flluska në tregje, duke këmbëngulur se ka ende nevojë për stimuj. Duke nisur nga suksesi i vaksinave të koronavirusit e deri tek kursimet e mëdha të familjeve që priten të shpenzojnë në muajt e ardhshëm, ekzistojnë disa faktorë që po ndikojnë tek situata në tregje aktualisht, tha Powell në një seancë dëgjimore përballë Kongresit. Ai shtoi se ndër faktorët janë edhe politikat monetare, por që duhen ende për të mbështetur ekonominë. Powell tha se interesat do qëndrojnë të ulëta dhe programi i blejreve të borxhit do vazhdojë, të paktën me normën aktuale, deri sa të bëhet progres me objektivat. Shefi i Rezervës federale po i përgjigjej pyetjefve të senatorëve republikanë që shqetësohen se programi i stimujve i bankës, boomi ekonomik i nxitur gna vaksina dhe kalimi i paketës së ardhshme të stimujve mund të nxisë një flluskë në çmimet e aktiveve. Megjithatë, Poëell tha se fokusi duhet të vazhdojë tek rimëkëmbja ekonomike që është e pabarabartë dhe do ketë nevojë për ndihmën e bankës që të rikthehet tek punësimi i plotë.
“Gjëja kryesore që mund të bëjmë është që të vazhdojmë të mbështesim ekonominë. Ne jemi ende 10 milionë vende pune poshtë nivelit të para pandemisë. Ka ende rrugë të gjatë për të arritur rimëkëmbjen e plotë dhe ne synojmë të mbajmë politikat për ta mbështetur këtë rimëkëmbje.”
Pavarësisht normës së vaksinimit të amerikanëve prej mbi 1.5 milionë në ditë dhe rënies së rasteve me koronavirus, Powell dhe poltikëbërësit e bankës janë përqëndruar tek tregu i punës dhe rreziqet e tjera nga virusi, që ka lënë mbi gjysmë milionë njerëz të vdekur në SHBA. Ekonomia vazhdon të varet bindshëm tek kursi i koronavirusit dhe masat që ndërmerren për ta kontrolluar, sipas Powell.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.