Çmimi “Nobel” në Ekonomi – Fiton Richard Thaler për kontributet në fushën e ekonomisë së sjelljes
Ekonomisti amerikan Richard Thaler, fitoi çmimin “Nobel” në ekonomi, për kontributet e tij në fushën e Ekonomisë së Sjelljes, i cili tregon se si tiparet njerëzore ndikojnë në tregjet racionalë, deklaron Akademia Mbretërore e Shkencave në Suedi.
Akademia bëri të ditur se kontributet e Richard Thaler, profesor në Universitetin e Chicagos, kanë ndërtuar një urë lidhëse mes fushës së ekonomisë dhe analizave psikologjike të vendimarrjeve individuale, pas lajmërimit të çmimit prej 9 milionë korona suedeze, apo 1.1 milionë dollarë.
Studimet e Thaler tregojnë se si njerëzit anojnë drejt sjelljeve që maksimizojnë dobinë e tyre pa patur nevojën e një force detyruese, që trajton edhe libri i tij “Nudge”, që ka tërhequr vëmendjen e politikëbërësve në botë.
Në dhënien e çmimit, Akademia bëri të ditur se hulumtimet e tij kanë shfrytëzuar supozime realiste psikologjike në analizën e vendimarrjes ekonomike, duke eksploruar pasojat e racionalitetit të limituar, preferencave sociale dhe mungesës së vetëkontrollit.
“Studimet empirike të tij kanë qenë thelbësore në krjimin e fushës e re dhe në zgjerim të shpejtë të Ekonomisë së Sjelljes, që ka patur një ndikim të madh në shumë fusha të hulumtimit dhe politikave ekonomike”, deklaron Akademia.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.