Eurozona injoron proteksionizmin – Suficiti tregtar rritet bindshëm në 30.9 miliardë euro gjatë marsit
Suficiti tregtar i Eurozonës me pjesën tjetër të botës është rritur në muajin Mars, duke treguar se tregtia globale nuk është cenuar deri më tani nga thirrjet për proteksionizëm.
Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, Eurostat, raportoi se Eurozona regjistroi një suficit prej 30.9 miliardë euro në balancën tregtare të mallrave me vendet e tjera jashtë bllokut. Suficiti i Marsit ishte thuajse dyfish më i lartë se niveli i muajit Shkurt prej 17.8 miliardë euro, si dhe sipër të njëjtës periudhe një vit më parë prej 28.2 miliardë euro.
Eksportet në bllokun e 19 vendet, kryesisht nga Gjermania, u rritën me 13% në muajin Mars me bazë vjetore, në një vlerë totale prej 202.3 miliardë euro. Importet drejt bllokut u rritën me 14%, duke treguar se flukset tregtare nuk janë ndikuar nga thirrjet për proteksionizëm në Shtetet e Bashkuara.
Eksportet e 28 vendeve të Bashkimit Europian drejt Shteteve të Bashkuara, u rritën me 11% për tremujorin e parë nga e njëjta periudhë një vit më parë. Importet nga ekonomia më e madhe në botë, u rritën me një normë modeste prej 4%, duke zgjeruar suficitin tregtar të BE-së me Shtetet e Bashkuara në një total prej 30.6 miliardë euro, nga 23.6 miliardë që ishte në tremujorin e parë 2016.
Bashkimi Europian ka rritur eksportet me të gjithë partnerët kryesorë tregtar për tremujorin e parë, me 28% rritje në Rusi dhe 22% drejt Kinës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.