Eurozona ruan ritmin – Biznesi në “formë” edhe gjatë majit, sinjale pozitive për T2
Aktiviteti i biznesit në Eurozonë vijon të ruajë ritmin. Të dhënat e fundit të Markit, tregojnë se, biznesi ka vazhduar rritjen edhe përgjatë muajit Maj, çka sinjalizon se, rajoni është në rrugën e drejtë të një rimëkëmbje të qëndrueshme.
Eurozona ka hyrë në ciklin më të fortë të rritjes në një dekadë, dhe të gjithë indikatorët sinjalizojnë se do të vazhdojë ta ruajë këtë ritëm.
Indeksi PMI i Markit që është një ndër matësit më real të aktivitetit ekonomik u regjistrua në 56.8 pikë gjatë Majit, në nivele të pandryshuara me muajin Prill.
Niveli i 50 pikëve ndan rritjen nga kontraktimi, dhe në Eurozonë qëndron sipër kësaj shifre që prej mesit të vitit 2013.
Të dhënat konfirmojnë gjithashtu një normë rritje të ekonomisë së rajonit prej 0.7% gjatë tremujorit të dytë.
Perspektiva e ekonomitë së rajonit duket se po përmirësohet ndjeshëm, çka me shumë gjasa do të sjellë edhe rishikimin e projeksioneve për 2017-ën nga institucionet më të rëndësishme.
Shtysën kryesore një rimëkëmbje të qëndrueshme po ja jep tregu i punës, në formën më të mirë në dhjetë vite.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.