Evropa “përplaset” me valën e dytë të Covid-19 / Shtetet po aplikojnë masa të reja kufizuesve, mbyllen disa shkolla
Shtetet evropiane kanë nisur të mbyllin shkollat dhe të kufizojnë jetën sociale, ndërkohë që autoritetet përballen me skenarin negativ të rikthimit të rasteve me Covid-19 përpara se të nisë Dimri. Shumë shtete zbutën masat e karantinës gjatë verës, për të rimëkëmbur ekonomitë dhe tregun e punës nga vala e parë e pandemisë.
Por rikthimi i aktivitetit normal, nga mbushja e restoranteve e deri tek kushtet e reja të universiteteve, nxitën një rikthim të rasteve në të gjithë kontinentin. Baret janë të parat që do të mbyllen me masat e reja të karantinës. Megjithatë rritja e rasteve të reja po teston përpjekjet e qeverive për të mbajtur shkollat e hapura dhe për të vazhduar kujdesin mjekësor, përjashtuar Covid në spitale. Republika Çeke, që ka normën më të keqe në Europë për frymë, ka rikthyer klasat online dhe spitalet shkurtuan procedurat mjekësorë jo-urgjente për të liruar shtretër. Autoritetet në Moskë bënë të ditur këtë javë se do të prezantojnë mësimet online për shumë student duke nisur nga java e ardhshme, ndërsa Irlanda e Veriut lajmëroi një mbyllje 2-javore të shkollave.
Ekonomi të mëdha si Gjermania, Britania dhe Franca kanë rezistuar deri më tani për të mbyllur shkollat. Në Gjermani, politikanët po debatojnë nëse do të zgjasin pushimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, për të reduktuar infeksionin tek fëmijët dhe komunitetin, pavarësisht se kritikët thonë se nuk ka prova që shkollat kanë qenë qendra të infeksionit. Holanda u rikthye në “karantinë të pjesshme” këtë javë, duke mbyllur baret dhe restorantet, por jo shkollat. Infeksionet ditore evropiane kanë arritur në një mesatare prej rreth 100,000 në ditë, duke detyruar qeveritë që të prezantojnë një serë masash të reja, në përpjekje për të mbrojtur shëndetin dhe mos shkatërruar mënyrën e jetesës. Në Francë, pesë qytetet më të mëdha; Parisi, Marseja, Lioni, Tulusi dhe Lile, janë në alarm maksimal. Në Angli, kryeministri Boris Johnson përballet me thirrje për një karantinë tjetër kombëtare, por ka rezistuar deri më tani. Në Spanjë , autoritete në rajonin më të pasur të Katalunjës do të lajmërojnë mbylljen e bareve dhe restornateve. Në Belgjikë, që ka normën e dytë më të keqe të infeksioneve për frymë, spitalet kanë rezervuar 25% të shtretërve për pacientët me Covid-19.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.