Monitorimi fiskal i FMN – Fondi pret rritje të borxhit në 100% të prodhimit ekonomik botëror
Shpenzimet e mëdha qeveritare për të luftuar pandeminë do të rrisin borxhin publik në një nivel rekord prej rreth 100% të prodhimit ekonomik botëror këtë vit, por kjo mund të jetë një ndodhi e njëhershme nëse ekonomia rimëkëmbet vitin e ardhshëm, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Fondi theksoi në monitorimin e fundit fiskal se pret që defiçitet buxhetore të fryhen në 12.7% të PBB, nga 3.9% që ishin në vitin e kaluar.
“Ajo që po shohim është një rritje e njëhershme e borxhit në vitin 2020, e më pas një stabilizim në vitin 2021”, – theksoi drejtori i çështjeve fiskale i fondit, Vitor Gaspar. Ndërkohë që borxhi publik do të qëndrojë i fryrë në rreth 100% të PBB, rimëkëmbja ekonomike dhe normat rekord të ulëta të interesit, do të ndihmojnë në zbutjen e defiçiteve primare buxhetore.
Në një tjetër kapitull të Monitorimit Fiskal, të publikuar javën e kaluar, Fondi i bëri thirrje qeverive që të përfitojnë nga normat e ulëta të interesit për të investuar në infrastrukturë. Fondi theksoi se një rritje në investimet e infrastrukturës publike me 1% të PBB, mund të nxisë prodhimin me 2.7%, duke krijuar 20-33 milionë vende pune. Megjithatë, Fondi me seli në Washington, bëri të ditur se ka një divergjencë mes perspektivave fiskale të vendeve anëtare, ndërkohë që ekonomitë e mëdha po barrën më të madhe të rritjes së borxhit, ndërsa vendet më të varfëra po përballen me detyra të vështira të rimëkëmbjes nga dëmi i pandemisë.
Ekonomitë e zhvilluara do të kenë rritje të defiçiteve publike me 11% të PBB, me Shtetet e Bashkuara që do arrijnë 18.7% të PBB dhe Kanadaja në 20%, sipas FMN.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.