Facebook synon të riorganizohet – Ul rëndësinë e “News Feed”, përqendrohet te mesazhet private
Facebook ndërmori një riorganizim të rrjetit social, duke bërë hapin e parë në konvertimin drejt një kompanie të mesazheve private dhe tregtisë elektronike. Facebook ka vonuar prezantimin e produkteve të reja vitin e kaluar, gjatë eventit F8, që erdhi menjëherë pas zbulimit të skandalit me Cambridge Analytica. Kreu ekzekutiv Mark Zuckerberg pranoi kritikat mbi politikat e privatësisë së kompanisë.
“Ndërkohë që bota bëhet më e madhe dhe e ndërlidhur, na duhet ndjenja e privatësisë më shumë se kurrë. Ky është kapitulli ynë i radhës për shërbimet tona. Unë e kuptoj që shumë njerëz nuk janë të sigurtë për seriozitetin tonë, e di që nuk kemi reputacionin më të mirë mbi privatësinë aktualisht” –tha Mark Zuckenberg.
Mark Zuckerberg prezantoi një dizajn të ri të rrjetit social më të madh në botë që i uli rëndësinë “News Feed” dhe ekspozoi aplikacionin e mesazheve, tregun online dhe njësisë “video-on-demand”. Zuckerberg premtoi në muajin Mars ndryshime të kompanisë që nxitej nga reklamimi, ndërkohë që ndodhej në mbikëqyrje për propagandë dhe ruajtjen e të dhënave private. “News Feed” vazhdon të tërheqë para nga reklamimi, por rrijta e përdoruesve është ngadalësuar.
“Tashmë që po bëjmë këtë ndryshim, jemi të përqendruar te siguria. Ndërsa rekomandojnë njerëz që të na bashkohen, ne do të sigurohemi se nuk po rekomandojmë grupe që ndajnë informacion të dëmshëm. Ne po përpiqemi të heqim tërësisht grupet që ekzistojnë vetëm për të shkelur politikat tona.”– tha Zuckerberg.
Zuckerberg theksoi se mesazhet private, “stories” me kohëzgjatje të shkurtër dhe grupet e vogla, janë fushat me rritjen më të shpejtë të komunikimit në rrjet. Në 3 vitet e fundit, numri i personave që përdorin WhatsApp është dyfishuar. Kompania po përpiqet të zvogëlojë përmasën e Messenger dhe ta bëjë më të shpejtë. Facebook do prezantojë Messenger për Mac dhe Windows. Kompania prezantoi ndryshime të tjera për Messenger dhe Instagram që do ndihmojnë lidhjen e bizneseve me klientët, përfshirë rezervimin e takimeve dhe karakteristika të reja të blerjes në rrjet.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.