Fca-Renault vendoset të Martën. Bordi i kompanisë franceze pritet të hapë dritën jeshile
Në një kohë që kërcënimet e Donald Trump për të vendosur tarifa ndaj Meksikës po fundosin aksionet e kompanive më të mëdha prodhuese në botë, projekti i bashkimit mes Fca dhe Renault po afrohet në një fazë mjaft të rëndësishme.
Të Martën do të mblidhet bordi drejtues i grupit francez për të diskutuar projektin dhe për të dhënë dritën e parë jeshile. Të paktën këto janë pritshmëritë, me përjashtim të ndonjë surprize në moment të fundit. Pas kësaj faze do të vazhdohet me firmën e memorandumit si dhe me prezantimin zyrtar të aleancës. Aksi i ri mes Parisit dhe Fiat Chrysler, kompanisë që drejtohet nga john Elkann duket të jetë në vijën e nisjes.
Politika franceze çdo ditë e më shumë është në favor të kësaj shkrirje, me ministrin e ekonomisë franceze që gjatë javës nënvizoi qartë se kjo është një mundësi reale për industrinë automobilistike franceze. Mbetet ende për t`u zgjidhur çështja e marrëveshjes që Renault ka firmosur me shtëpinë japoneze, Nissan.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.