Fëmijët pa shtetësi – Fund vakumit ligjor që la jashtë regjistrave mbi 1 mijë persona gjatë 2017-ës
Qeveria shqiptare ka vendosur të ndryshojë ligjin për gjendjen civile, duke eliminuar sfidat e regjistrimit, për fëmijët që kanë lindur jashtë vendit. Projektligji për gjendjen civile ndryshe nga më parë, tashmë, i jep kompetencë gjykatës shqiptare të bëjë vërtetimin e faktit juridik të lindjes, në rastet kur akti i lindjes i hartuar nga një shtet tjetër ka të dhëna të paplota.
Sipas procedurës aktuale ligjore për të regjistruar një fëmijë të lindur jashtë vendit, prindërit duhet të marrin një certifikate lindjeje nga vendi i lindjes dhe ajo duhet të jetë në formën e parashikuar nga ligji, të jetë akt i legalizuar, i përkthyer në shqip dhe i noteruar.
Ky dokument duhet të verifikohet nga Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme e vendit të huaj. Por pengesat lidhen kryesisht me kërkesat burokratike të kësaj procedure të cilat janë të tatueshme dhe shpesh të pamundura për t’u përmbushur, veçanërisht për nënat pa dokumente që lindin në vende te huaja dhe që jetojnë në kushte varfërie.
Shumë prindër kthehen në Shqipëri para se të marrin një certifikatë në formën e kërkuar nga autoritetet shqiptare.
Në raste të tilla, certifikatat nuk legalizohen dhe lindjet e fëmijëve nuk regjistrohen, pavarësisht se prindërit janë shqiptarë.
Vetëm gjatë 2017-ës, organizata jofitimprurëse “TLAS” përmes një studimi “Hartëzimi i personave pa shtetësi në Shqipëri” që përfshiu periudhën, shtator-dhjetor 2017, identifikoi 1031 persona të paregjistruar nga të cilët 96.7% fëmijë, ndërkohë që ka identifikuar 300 raste të tjera që nuk mund të zgjidhen as me proceduara administrative dhe as përmes gjykatës.
Ky projektligj zbaton në praktikë prioritetin e pestë në rrugën e integrimit të vendit tonë drejtë BE, “për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.