Fluturim historik Tel Aviv-Abu Dhabi. Zyrtarët izraelitë dhe amerikanë, në EBA për të finalizuar marrëveshjen
Ndihmësit kryesorë të presidentit amerikan, Donald Trump dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, mbërritën në Emiratet e Bashkuara Arabe, me fluturimin historik nga Tel Avivi në Abu Dhabi, për të finalizuar marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryeministri i Izraelit e përshkroi marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me një shtet arab si një hap të madh drejt paqes.
Por, vendimi i Emirateve të Bashkuara Arabe ka zemëruar Palestinën, që shqetësohet se do të dobësohet qendrimi i bashkuar i vendeve arabe, sipas të cilit kërkohet tërheqja e Izraelit nga territoret e pushtuara dhe pranimin e shtetësisë palestineze, në këmbim të marrëdhënieve normale me vendet arabe. Ndërsa, Jared Kushner, këshilltar i lartë dhe dhëndër i Donald Trump, së bashku me këshilltarin e sigurisë kombëtare, Robert O’Brien, kryesonin delegacionin amerikan. Palët do të diskutojnë mbi bashkëpunimin bilateral në sektorë të ndryshëm, si tregtia dhe turizmi.
Zyrtarët izraelitë shpresojnë se udhëtimi 2-ditor do të prodhojë edhe një datë për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington, mbase gjatë muajt shtator, mes kryeministrit Netanyahu dhe Princit të Kurorës, Sheikut Mohammed bin Zayed.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.