FMN për luftën e monedhave – Nuk është efikase, asnjë ekonomi nuk përfiton dot
Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi qeveritë e ndryshme të globit mbi përpjekjet e tyre për të dobësuar qëllimisht monedhën, me synim përfitimin.
Sipas institucionit, kjo gjë po arrihet nëpërmjet politikave monetare lehtësuese apo edhe nëpërmjet ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në treg. Sipas FMN, një praktikë e tillë vetëm sa dobëson sistemin monetar ndërkombëtar dhe përkeqëson gjendjen e ekonomive të ndryshme të botës.
Njoftimi i FMN vjen pikërisht në javën që takohen bankierët qendrore kryesorë të globit. Këta të fundit mblidhen në Wyoming, SHBA, për të diskutuar mbi çështjet e politikave monetare globale.
Për më tepër, sipas FMN, praktika si lehtësimi i politikave monetare apo blerja e monedhës së një vendi tjetër, nuk do të dobësojnë mjaftueshëm monedhën e një vendi, sa të përmirësojë bilancin tregtar.
Zhvlerësimi i monedhës duhet të jetë shumë më i madh se çfarë mund të ofrojnë ndërhyrjet në politikat monetare apo edhe në treg drejtpërdrejtë, në mënyrë që të japë rezultate, thekson institucioni me bazë në Washington.
Ndërkohë, administrata e SHBA e ka klasifikuar Kinën si vend që manipulon valutën dhe i ka kërkuar FMN që të punojë në këtë drejtim për të “rregulluar” problemin.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.