Foto-reportazhi: Si po “lulëzon” biznesi i fotove e kancelarive nga Lotaria Amerikane
Mëngjesi i 3 Tetorit i gjeti rrugët e Tiranës “të lulëzuara” nga një pranverë e re, në mes të vjeshtës. Të shpërndara si një buqetë e rrallë me lule, ngjyrat e kuqe, blu dhe e bardhë, kishin mbirë mes betonit, aty ku deri më dje kishte një shurdhëri ngjyrash dhe nuk shkelte më kush. Një sërë biznesesh të vogla ishin ripërtërirë brenda natës për t’u kthyer në simbol shprese, nga diçka që ngjallte vetëm të kundërtën.
Tetori është muaji i Lotarisë Amerikane dhe etheve të qindra mijëra shqiptare u vihen në dispozicion mijëra studio fotografie, qendra interneti dhe ndonjë kancelari oportuniste.
Fotografia e kërkuar sipas një formati specifik bën që shumë t’u drejtohen fotografëve personalë, ndërsa për ata që nuk e kanë anglishten pikë të fortë, asistenca gjatë këtij procesi kthehet në një domosdoshmëri.
“Pse të digjem kot për foton edhe mos ta di. Më mirë shkoj tek një studio dhe mbaroj punë. Kam 12 vite që aplikoj dhe gjithmonë kam vepruar kështu. Marr burrin dhe djalin e shkojmë atje, në këtë mënyrë është edhe një rast që të bëjmë ndonjë foto familjare”, thotë zonja Jona, duke nxjerrë nga kuleta foton e parë për aplikim të djalit kur ishte vetëm një vjeç dhe atë të tanishmen pas mbi një dekade. Për ta familjarisht, ky është një muaj i shoqëruar me ëndrra, kur mendojnë për jetën e mundshme përtej oqeanit.
Gjatë një shëtitjeje në trotuaret e pandërtuara të Rrugës së Dibrës vendosa të pyes se sa ndikon në bizneset e vogla dëshira për t’u larguar. Vetë kam aplikuar vetëm një herë përmes kompjuterit dhe foton e bëra me aparatin personal, ndaj të hyja sërish në një studio fotografie dhe të ndieja aromën e veçantë, më bëri të kujtoja fëmijërinë.
“Aplikimi kushton 200 lekë të reja për person. Ne nuk e bëjmë edhe aplikimin, por fotot ua japim klientëve sipas dëshirës në USB, email, apo CD. Asnjë nuk zgjedh t’i printojë fotot, pasi kanë vetëm një qëllim të vetëm”, thotë pronarja e biznesit. Njerëzit janë rrekur të shkojnë nëpër studio fotografike që para se të dyqani i saj të niste punë 12 vjet më parë. Gjatë këtyre viteve, nuk kanë munguar as falenderimet nga fituesit.
Deri më 7 nëntor, ajo do të duhet të grumbullojë sa më shumë të ardhura nga 300 njerëzit që do të vijnë të bëjnë foto. Këto para do të jenë shërbejnë si “dhjam” deri Tetorin e ardhshëm, pasi numri i njerëzve që përdorin shërbimin e ofruar nga fotografi është në rënie të thepisur. Nëse “dhjami” nuk do të mjaftojë, mund të mos ketë një biznes kur të vijë periudha e radhës e aplikimeve.
Duke vazhduar shëtitjen në ish-bulevardin “Broduej”, siç quhej nga të rinjtë në vitet 60’, vëmë re shumë dyqane të tjera të “amerikanizuara” për rastin. Norma e artë për të thithur më shumë klientë është qartësisht të kesh një poster sa më të madh me flamurin e Shteteve të Bashkuara.
Kështu, shoh në një studio që kishte printuar sa faqja e xhamit “Aplikoni, fituesi mund të jeni ju – Vjet 10 fitues e patën këtë fat”. Xhiroja e këtij biznesi ishte qartësisht më e madhja në të gjithë zonën dhe teksa bëra të hyja, doli një familje me 7 anëtarë, të gjithë të veshur me kostumin më të mirë për të dalë në foto.
“Kam 30-40 klientë në ditë që duan të bëjnë fotot për aplikimin. Po jam shumë i zënë tani, nuk flas dot”, thotë fotografi, i cili po merrej njëkohësisht me tre klientë të tjerë.
Në rrugën time përsëri jashtë, më shkojnë sytë tek pasqyra pas derës dhe kuptoj që padashur kisha veshur një bluzë me flamurin amerikan, e cila shkruante “Never Stop Dreaming”. Mesa duket “ethet” e lotarisë qenkan ngjitëse dhe më kishin kapur dhe mua.
Ndalesa e radhës ishte një qendër interneti, e cila kishte hapur dyert për aplikime. Danieli, pronari, stërmundohej gjatë gjithë vitit për të dalë në një bilanc pozitiv dhe çdo person të interesuar për të aplikuar e shihte si një frymëmarrje.
Edhe ai vetë e bën çdo vit aplikimin, por “shansi” i takon klientëve, të cilët nuk harrojnë ta falenderojnë çdo Maj.
“Kam patur plot fitues. Edhe shoku im madje që aplikoi vjet në ditën e fundit, në orët e fundit të aplikimit, fitoi. Për aplikime u marr zakonisht 3000 lekë (të vjetra)”, thotë Danieli.
Ashtu si ai, shërbimin e asistencës në plotësimin e formularit e kanë aplikuar plot të tjerë, edhe një kancelari pranë tij, e cila ka ngjitur me krenari njoftimin “Aplikojmë llotarinë Amerikane”. Duke patur një tabelë më të madhe dhe më tërheqëse, rregulli nënkupton se ka më tepër klientë.
“A ka ndikim në financa? Po si s’ka ndikim. Jo vetëm unë, por ka dhe avokatë që po ofrojnë shërbimin e aplikimit”, thotë pronari. Ai ka që në vitin 2003 që ndihmon njerëz të plotësojnë lotarinë, përkundrejt një tarife modeste.
Ai na shpjegon pak edhe për arsyen pse vijnë klientët, të cilët mund të jenë 3-4 në ditë.
“Shumica kanë njohuri si nga anglishtja, ashtu edhe nga kompjuteri. Vijnë vetëm për besëtytni, pasi mund të ketë fituar këtu dikush nga familja. Ka dhe nga ata që vijnë këtu dhe e plotësojnë të gjithën vetë. Është punë shansi, prandaj është edhe lotari”, tregon ai.
Një arsye tjetër pse shumë preferojnë të aplikojnë në qendra interneti është printimi i dokumentit të konfirmimit, që mban dhe numrin që shërben për të kontrolluar rezultatin.
Por të fitosh lotarinë nuk është kushti i vetëm që ju kualifikon për të ndjekur ëndrrën amerikane. Të shumtë janë ata që kalojnë në raundin e intervistës, për të cilin paguajnë 700 dollarë, por ngelin. I tillë është edhe rasti i këtij pronari kancelarie, i cili tashmë nuk e plotëson më formularin.
Megjithatë shqiptarët do të vazhdojnë të aplikojnë, të shumtë si gjithmonë. Nëse në vitin 2015, aplikimet e kaluan shifrën 200 mijë, këtë vit pritet të përsëritet ky numër, në mos më i lartë.
Me mbylljen e afatit më 7 Nëntor, këto biznese të gjallëruara do të kthehen në monotoninë e tyre. Ato do të heqin posterat, e bashkë me to dhe ngjyrat. Por, disa do t’i mbajnë edhe deri në Dhjetor, kur do t’ua zënë vendin zbukurimet e Vitit të Ri.
Ndërkohë, aplikantët do ta vendosin dokumentin e printuar si një gur i çmuar në vitrinën e bufesë në dhomën qendrore të shtëpisë. Ajo do të qëndrojë e paprekur deri në pranverën e ardhshme, kur bashkë me pluhurin e saj, do të shpluhurosen për një moment të shkurtër edhe ëndrrat për një jetë më të mirë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.