Gjermania pro Macron, Schaeuble: Do mbështesim presidentin për fuqizimin e BE
Ministri i Financave në Gjermani, Wolfgang Schaeuble, tha se Gjermania do të mbështesë presidentin e ri francez për të fuqizuar Bashkimin Europian dhe unionin monetar.
Megjithatë, Schaeuble kritikoi disa prej propozimeve të Macron, që do të kërkonin ndryshme të traktateve që ai nuk i konsideron si realiste për momentin.
“Ne do të mbështesim Macron në rrugën për fuqizimin e Europës dhe unionit monetar”, tha Schaeuble në një takim të Unionit Kristian Demokrat.
Ai shtoi se çdokush që e njeh Europën e pranon se nuk është realiste të mendosh për ndryshim traktatesh në këtë periudhë.
Gjermania nuk ka probleme politike me Macron, ish-bankierin që kandidoi si i pavarur, por Schaeuble tha se disa prej masave që Macron ka propozuar, do të duhet të vendosen në Francë.
Ai shtoi se është i bindur që Macron mendon për një Europë të fortë, duke theksuar duhet një klimë më e mirë e investimeve dhe konkurrueshmëri që të fuqizohet unioni.
Ministri foli gjithashtu për politikat monetare aktuale në Europë, duke theksuar se pret një ndryshim nga Banka Qendrore Europiane.
“Normat e interesit do të nisin të normalizohen së shpejti, bazuar në komentet e fundit nga institucioni”, tha Schaeuble.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.