Inflacioni merr vrull/ Eurostat: ”Ushqimet dhe shërbimet nxisin treguesin për Nëntorin”
Çmimet e konsumit në Eurozonë u rritën sipër pritshmërive në muajin Nëntor, duke marrë nxitje nga çmimet e produkteve ushqimore dhe shërbimet, pavarësisht rënies së kostos së energjisë.
Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian , Eurostat, bëri të ditur se inflacioni në 19 vendet që ndajnë euron u rrit me 1% me bazë vjetore, nga 0.7% që qëndronte në muajin Tetor.
Me bazë mujore, çmimet e konsumit ranë me 0.3% në Nëntor. Ekonomistët prisnin një rritje me 0.9% me bazë vjetore. Çmimet e ushqimeve të papërpunuara u rritën me 1.8% me bazë vjetore këtë muaj, nga 0.7% rritje që u regjistrua në Tetor, ndërkohë që energjia ra me 3.2% nga e njëjta periudhë një vit më parë, nga rënia me 3.1% në Tetor.
Megjithatë, treguesi që përjashton komponentët e luhatur, apo inflacioni bazë, u rrit me 1.5% me bazë vjetore, nga 1.2% që qëndronte në Tetor, duke thyer pritshmëritë e tregjeve. Një indeks tjetër më i ngushtë, që përjashton edhe çmimet e alkoolit dhe duhanit, u rrit gjithashtu në 1.3% nga 1.1% që ishte muajin e kaluar.
Në sektorin e shërbimit, që përbën më shumë se 2/3 e ekonomisë së Eurozonës, çmimet u rritën në 1.9% me bazë vjetore, nga 1.5% që ishin në Tetor.
Banka Qendrore Europiane ka për objektiv ta drejtojë inflacionin në pranë 2 % në afat-mesëm, por ka dështuar prej vitesh ta bëjë këtë, pavarësisht politikave të jashtëzakonshme monetare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.