Italia ndjehet e braktisur/Salvini paralajmëron daljen nga BE: Çfarë unioni? Aty është një guvë me gjarpërinj e çakej
Italia ndjehet e braktisur nga vendet anëtarë të Bashkimit Europian, por edhe nga aleatë të tjerë të rëndësishëm globalë e kjo ka sjellë jo pak pakënaqësi si në popullatë ashtu edhe në politikë.
Prej ditësh në rrjete sociale qarkullojnë video të ndryshme ku evidentohet pikërisht kjo gjë dhe shpërndarja e tyre është masive sepse Italia u kujton vendeve të tjera se çfarë kanë përfituar nga ajo në aspektin e civilizimit por edhe në sende të përdorimit të përditshëm, shumë të rëndësishme sot për botën.
Por veç kësaj, ka edhe një paralajmërim konkret për mundësinë e daljes nga Bashkimit Europian. Lideri i “Lega Nord”, Matteo Salvini, ish ministër i Brendshëm por edhe një kritik i unionit, i është rikthyer gjuhës së ashpër kundër BE-së, të cilën e kishte zbutur prej kohësh.
Duke iu referuar vonesës që liderët e BE-së kanë në konkretizimin e një plani për emergjencën, Salvini ka reaguar ashpër.
“Çmenduri. Europa merr edhe 15 ditë të tjera kohë për të vendosur se çfarë do të bëjë dhe se kë duhet të ndihmojë. Në kulmin e emergjencës, me njerëz që po vdesin, sot nga pneumonia e ndoshta nesër nga varfëria” tha Salvini.
I pyetur nëse bën akoma sens pas kësaj që të qendrohet në Bashkimin Europian kur vendet anëtare i thanë jo kërkesave të Italisë, ai përgjigjet shumë më ashpër: “E çfarë unioni është ky. Është një guvë gjarpërinjsh dhe çakejsh. Të mundim një herë virusin e pastaj do të mendojmë edhe për Europën. Dhe nëse lind nevoja, do i japim lamtumirën. Pa pasur as nevojën ta falenderojmë”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.