Italia “zhytet” në recesion – Ekonomia tkurret me 0.2% në T4. Eurozona rritet me vetëm 0.2%
Italia u “zhyt” në recesion në fund të vitit 2018, vit që u përkufizua nga trazira politike, kosto më të larta të huamarrjes dhe tensione fiskale. Produkti i Brendshëm Bruto ra me 0.2% në tremujorin e katërt, pas një rënieje me 0.1% në të tretin, sipas agjencisë së Statistikave Istat.
Të dhënat do shtojnë presionet për qeverinë populiste. Megjithatë, tkurrja pritej, ndërkohë që Kryeministri Giuseppe Conte tha se pret një rënie të PBB në tremujorin e katërt.
Eurostat publikoi të dhënat për të gjithë vendet e Eurozonës. Blloku i valutës së përbashkët u rrit me 0.2% në fund të 2018-ës, e njëjta normë me tremujorin e tretë. Investitorët kanë vëzhguar me kujdes performancën ekonomike të Italisë, pasi negociatat me Brukselin mbi buxhetin e qeverisë rritën kostot e huamarrjes.
Istat fajësoi tkurrjen e industrisë dhe stanjacionin në aktivitetin e shërbimeve. Me bazë vjetore, ekonomia italiane u rrit me 0.1% nga viti 2017, ndërsa për vitin e plotë, rritja arriti në një total prej 0.8%.
Roma dhe Brukseli ranë dakord për një rishikim të planit të shpenzimeve, pas tensioneve nga të dyja palët. Kjo solli uljen e objektivit të deficitit për 2019, ndërsa Roma “ruajti” uljen e moshës së daljes në pension për disa punëtorë dhe të ardhurat bazë për të varfërit.
Të dhënat negative për Italinë rritën presionet për të gjithë Eurozonën, për shkak të ngadalësimit global. Qeveria gjermane ka bërë të ditur se ekonomia do të rritet me vetëm 1% në 2019, që është norma më e ngadaltë në 6 vite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.