Jo më para ‘cash’ – Ja cilat janë avantazhet e bankave
Ulja e përdorimit të parave ‘cash’ sjell sigurisht përfitime për bankat. Ndërkohë për sa i përket kostove, kemi tarifat që lidhen me administrimin e transportit, me sistemet e mbikëqyrjes deri në kostot indirekte që lidhen me menaxhimin e pagesave në degë me përdorimin e parave të gatshme (cash).
“Nëse përqendrohemi vetëm në kostot direkte, shpjegon Guido Tirloni, partner i asociuar tek KPMG, kostoja e parave cash është midis 5,000 dhe 10,000 euro për secilën degë. Këtu nënkuptohet kostoja e transportit, prokurimit dhe menaxhimit. Këto kosto do të ishin shumë më të ulëta në rastin e mos përdorimit të cash-it.
Reduktimi i përdorimit të parasë së gatshme ka sidoqoftë përfitime më të mëdha indirekte për bankat. “Kur klienti përdor kartat e kreditit, vazhdon Tirloni, ekziston gjurmueshmëri më e madhe e flukseve dhe kjo na lejon të kuptojmë më mirë konsumatorin edhe nga këndvështrimi i besueshmërisë. Për sa i përket kostove të kartave, kur bëhet një transaksion, lëshuesi i kartës fiton 0.2% në rastin e një karte debiti dhe 0.3% në rastin e një karte krediti. Përhapja më e madhe e këtyre instrumenteve sjell avantazhe për bankat që janë lëshuese, por për disa institucione mund të zvogëlojë komisionet që disa aplikojnë për tërheqje parash». Duhet thënë se sot sektori i pagesave është ai që kërcënohet më shumë nga konkurrenca e operatorëve jo-bankar dhe për këtë arsye përhapja më e madhe e kartave mund të shtyjë konkurrencën edhe më tej.
E gjithë kjo ka pasoja të pashmangshme në listimet e aksioneve. Nuk është rastësi që vitet e fundit indeksi amerikan Ise, i cili mbledh operatorët e pagesave elektronike dhe mobile, ka tejkaluar qartë bankat tradicionale. Sa për bankat, është e vështirë të imagjinohet një ndikim në pasqyrat financiare. Mesatarisht, të ardhurat nga shërbimet e pagesave janë pak më shumë se 10% dhe një shpërndarje më e madhe e kartave do të rrisë këtë zë. Ekziston gjithashtu një ulje në kostot që lidhen me përdorimin e vetë parave cash. (Ilsole24ore)
E. S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.