KE rrit projeksionet e Eurozonës – Ekonomia, më e fortë këtë vit edhe tjetrin. Pritet rënie e borxhit dhe deficitit
Ekonomia e Eurozonës do të rritet më shpejtë se sa pritej këtë vit, ndërkohë që rimëkëmbet nga recesioni i pandemisë dhe do vazhdojë të zgjerohet fuqishëm në vitin 2022, me rënie në defiçitin dhe borxhin publik, sipas projeksioneve të Komisionit Europian. Komisioni deklaroi se Produkti i Brendshëm Bruto në 19 vendet që ndajnë euron do të rritet me 5% këtë vit, pas një recesioni prej 6.4% në vitin 2020. Komisioni projektoi një rritje me 4.3% në vitin e ardhshëm dhe me 2.4% në vitin 2023. Projeksioni i muajit Maj për këtë vit qëndronte në vetëm 4.3%.
“Masat tona për të zbutur goditjen e pandemisë dhe përshpejtuar vaksinimin në rajon, kanë kontrbuar qartë tek ky sukses”- tha zv/presidenti i Komisionit, Valdis Dombrovskis. Komisioni Europian deklaroi se inflacioni do të arrijë 2.4% në vitin 2021, në rritje nga 0.3% në vitin 2020, përpara se të ngadalësohet në 2.2% në vitin e ardhshëm dhe 1.4% në vitin 2023. Maja pritet të arrijë në fundvit dhe më pas të tërhiqet gradualisht përgjatë vitit 2022. Rritja e shpetjë ekonomike dhe tërheqja graduale e mbështetjeve emergjente të qeverive për ekonomitë, do të sjellë rënien e defiçitit të përbashkët buxhetor në Eurozonë në 7.1% të PBB këtë vit, nga 7.1% në vitin 2020.
Treguesi i defiçitit pritet të bjerë në 3.9% në vitin e ardhshëm dhe në 2.4% në vitin 2023, sipas komisionit. Borxhi publik, që ndodhet në majë në 100% të PBB për Eurozonën këtë vit, pritet të bjerë në 97.9% në vitin 2022 dhe në 97% në vitin 2023, ç’ka ofron një rënie më të shpejtë se projeksioni i Majit. “Ekzistojnë 3 kërcënime ndaj kësaj panorame pozitive: një rritje e madhe e rasteve me Covid, në vendet ku vaksinimi është i ulët; rritja e inflacionit, nxitur kryesisht nga energjia, si dhe ndërprerjet në zinxhirin e ofertës, që po rëndon në shumë sektorë”- tha Komisioneri për çështjet ekonomike, Paolo Gentiloni.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.