KE rrit projeksionet për Eurozonën – Rritja më e fortë ekonomike në 1 dekadë, divergjencë me Britaninë
Ekonomia e Eurozonës do të ketë rritjen më të shpejtë në një dekadë për këtë vit, ndërkohë që Britania pritet të vazhdojë në ngadalësim, bën të ditur Komisioni Europian në përditësimin e projeksioneve, duke theksuar divergjencën mes kontinentit dhe ekonomisë britanike.
Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian deklaroi se ekonomia e bllokut të valutës së përbashkët pritet të rritet me 2.2% këtë vit, nga 1.7% që ishte projeksioni i muajit Maj, dhe me 2.1% në 2018-ën. Në përditësimin e të dhënave, komisioni përmendi konsumin e fortë privat. Për Mbretërinë e Bashkuar, rritja ekonomike do të ngadalësohet në 1.5% këtë vit, 1.3% në 2018-ën dhe 1.1% pas 2 vitesh. Në parashikimin e performancës më të keqe që prej recesionit të 2009-ës për Mbretërinë e Bashkuar, komisioni përmendi rënien e investimeve si pasojë e Brexit.
Mbi inflacionin, në Eurozonë pritet të qëndrojë poshtë objektivit të Bankës Qendrore Europiane në afatshkurtër, ndërsa në Britani, pritet të kalojë nivelin 2% të Bankës së Anglisë deri në vitin 2019. Kjo vjen prej dobësimit të paundit , ndërkohë që presionet në çmime sollën rritjen e normës bazë të interesit nga Banka e Anglisë, për të parën herë në një dekadë.
Pas viteve të trajtimit të krizës financiare, ekonomia e Eurozonës është rritur për 18 tremujorë radhazi dhe sondazhet tregojnë për një vazhdim të kësaj performance. “Rreziqet për Bashkimin Europian lidhen me rezultatin e negociatave për Brexit, vlerësimin e shpejtë të euros dhe normat më të larta të interesit në afat-gjatë”, deklaroi komisioni. Projeksionet vijnë 2 javë pasi Banka Qendrore Europiane lajmëroi planet për të ngadalësuar ritmin e blerjes së obligacioneve në 2018-ën, duke ndërmarrë hapin e parë drejt përfundimit të stimujve monetarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.