Kina do ulë tarifat e importit – Nis nga data 1 Janar. Pritet të zbusë luftën tregtare
Kina planifikon të heqë tarifat e importit në vitin 2019 për disa lloje produktesh, në përpjekje për të zbutur tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara. Tarifat e importit në ushqimet alternative do të hiqen nga data 1 Janar, raportoi ministria e Financave në Kinë. Lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara ka trazuar tregun global të sojës, pasi Kina ndaloi të gjitha importet e këtij produkti nga SHBA.
Ndërkohë që Kina ka rifilluar pjesërisht blerjen e sojës nga SHBA, tarifat ndaj produkteve të tjera bujqësore qëndrojnë dhe heqja e tyre mund të përmirësojë furnizimin e ushqimit për kafshët në Kinë. Shtetet e Bashkuara përbëjnë furnitorin e dytë më të madh të sojës në Kinë dhe ky komponent i tregtisë mes dy vendeve vlente 12 miliardë dollarë në vitin 2017. Kina e përdor sojën për ta kthyer në vaj gatimi dhe në ushqim për kafshët.
Sipas Ministrisë së Financave, tarifat ndaj disa mallrave farmaceutikë do të hiqen gjithashtu. Kina do të ulë gjithashtu tarifat në motorët e avionëve, në 1%, për të ndihmuar industrinë e prodhimit të avionëve. Vendi do të ulë gjithashtu tarifat në 298 produkte të teknologjisë së informacionit duke nisur nga Korriku 2019. Rritja ekonomike e Kinës u ngadalësua në 6.5% në tremujorin e tretë, që është norma më e ngadaltë që prej krizës financiare. Lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara pritet të ngadalësojnë më tej ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.