Kina nuk pyet për tarifat – Eksportet arrijnë nivel rekord, rritet suficiti me SHBA
Eksportet kineze kanë marrë vrull gjatë Shtatorit, duke sjellë një suficit rekord me Shtetet e Bashkuara që mund të përkeqësojë konfliktin tregtar mes vendeve. Eksportet u rritën me 14.5% në Shtator me bazë vjetore, që është norma më e shpejtë që prej muajit Shkurt, sipër normës prej 9.8% në Gusht.
Sipas analistëve, eksportet kineze kanë rezistuar përballë luftës tregtare dhe ngadalësimit të ekonomisë globale, me shumë gjasa prej rritjes së konkurrueshmërisë nga zhvlerësimi i juanit.
Megjithatë, ndërkohë që tarifat e Shteteve të Bashkuara hyjnë plotësisht në efekt, tendenca nuk ka gjasa të vazhdojë.
Juani, që ka rënë me 8% kundër dollarit deri më tani për vitin, mund të ketë hequr barrën e tarifave ndaj 250 miliardë dollarë mallra kinezë të vendosura nga SHBA.
Megjithatë, pavarësisht shqetësimeve për zhvlerësimin e juanit, Departamenti i Thesarit në SHBA nuk ka rekomanduar që ta etiketojë Kinën si një manipulues të valutave, në raportin e ri mbi praktikat e kursit të këmbimit.
Suficiti tregtar me SHBA, që ka ndjeshmëri të lartë politike, u rrit në 34.13 miliardë dollarë në Shtator, sipër nivelit rekord prej 31.05 miliardë që ishte në Gusht.
Kompanitë kineze kanë shtuar gjithashtu dërgesat përpara vendosjes së tarifave të ashpra, duke shtuar shqetësimet e një rënie të shpejtë ndërkohë që barrierat tregtare bëhen efektive.
Makineritë elektrike, tekstilet, mobiliet dhe procesorët patën rritjen më të madhe gjatë muajit. Importet nga ana tjetër patën një ngadalësim të dukshëm nga muaji i kaluar. Importet u rritën me 14.3% në Shtator, nga 19.9% që ishte norma në muajin Gusht.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.