Kina synon Kontinentin e vjetër – Mbi 75% e firmave duan të investojnë në BE, por Europa nuk i do
Mbi ¾ e sipërmarrjeve kineze shohin Bashkimin Europian si zgjedhjen e tyre të parë për të investuar. Sipas një raporti të fundit të publikuar nga Këshilli Kinez për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare, më shumë se 75% e sipërmarrjeve kineze duan Europën për të investuar.
Pra, 78.62% zgjedhin Europën, ndërkohë që 43% thonë se do të rrisnin investimet e tyre në kontinentin e vjetër në të ardhmen, që është 5 pikë përqindje sipër nivelit të vitit të kaluar. Firmat kineze kanë krijuar më shumë se 2900 degë në të 28 vendet e Bashkimit Europian deri në fund të vitit 2017, thotë raporti i qeverisë kineze.
Pavarësisht dëshirës së madhe të firmave kineze për të investuar në Europë, Bashkimi Europian po shtrëngon rregullat e investimeve të huaja, pikërisht nga frika se investimet kineze dhe ato ruse kanë prapavijë gjeopolitike. Qeveria kineze thotë se trajtimi i pandershëm ndaj investitorëve të huaj në Europë ka dëmtuar investimet kineze. Më shumë se 80% e firmave kineze beson se ndihen të diskriminuar në vendet e Bashkimit Europian si investitorë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.