Klima, katastrofë në SHBA – Raporti për ndryshimet klimatike flet për qindra miliarda dollarë kosto
Ndryshimet klimatike do t`i kushtojnë ekonomisë amerikane qindra miliarda dollarë deri në fund të shekullit, duke dëmtuar çdo gjë, që nga shëndeti i njeriut deri në infrastrukturë dhe prodhim bujqësor, thotë një studim i fundit i qeverisë amerikane. Raporti është unik në llojin e tij dhe është përpiluar pas një bashkëpunimi të dhjetëra agjencive amerikane. Raporti, thotë se, impakti i ndryshimeve klimatike do të ndihet në çdo cep të shoqërisë amerikane.
Gjetjet e këtij raporti janë një shuplakë për Donald Trump dhe administratën e tij. Donald Trump e mohon ndryshimin klimatik. Madje, administrata e tij ka ndjekur politika në favor të karburanteve tradicionalë. “Me rritjen e emetimit të gazrave pranë niveleve rekord maksimale, humbjet vjetore në disa sektorë të ekonomisë projektohen në qindra miliarda dollarë brenda këtij shekulli, më shumë se Prodhimi i Brendshëm Bruto aktual i disa shteteve amerikane”- thotë shprehimisht raporti.
Ngrohja globale do të dëmtojë në mënyrë jo të barabartë të varfrit, do të minojë shëndetin e njeriut, dëmtojë infrastrukturën, kufizojë aksesin te uji, ndryshojë vijën bregdetare, si dhe do të rrisë kostot e industrive, si prodhimi energjetik. Raporti thotë gjithashtu se, disa prej këtyre fakteve po ndihen nëpërmjet përmbytjeve, periudhave të tejzgjatura të thatësirës, etj.
Roel Kokruti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.