Konferenca e BQE – Draghi: Anëtarësimi në euro ka përmirësuar cilësinë e qeverisjes
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, tha se anëtarësimi në euro ka përmirësuar cilësinë e institucioneve në vendet e Europës Lindore, ndërkohë që në vendet që kanë mbajtur valutat e tyre, rezultatet kanë qenë mikse. Ai tha gjithashtu se tregu i përbashkët europian përbën një motor të fuqishëm të rritjes ekonomike. Mario Draghi, gjatë konferencës së 8 të Europës Qendrore dhe Lindore në Frankfurt, tha se sfida kryesore e rajonit është arritja e një ekonomie më të ekuilibruar. Sipas tij, kjo do të ishte e mundur vetëm nëse përmirësohen qeverisja dhe institucionet e brendshme.
“Ato vende që i janë bashkuar eurozonës kanë vazhduar të përmirësojnë cilësinë institucionale, pjesërisht prej procesit të anëtarësimit. Në vende të tjera të Bashkimit Europian që i përkasin këtij rajoni, përpjekjet për të përmirësuar cilësinë institucionale kanë qenë më të vështira gjatë viteve të fundit,” u shpreh Draghi.
Entuziazmi për tu anëtarësuar në euro në këtë rajon është zbehur, ndërkohë që disa vende ish-komuniste si Polonia dhe Hungaria, kanë marrë një qasje më populiste në vitet e fundit. Kjo ka shtuar shqetësimet se këto vende mund të jenë duke u tërhequr nga demokracia, 3 dekada pasi lanë pas komunizmin. Mario Draghi tha se Produkti i Brendshëm Bruto për frymë në vendet e reja anëtare ka arritur 70% të mesatares së rajonit dhe shtoi se vendet që kanë pranuar euron, kanë pasur rritje edhe më të shpejtë, në rreth 80% të mesatares së Bashkimit Europian. Presidenti shtoi se anëtarësimi në tregun e përbashkët ka sjellë heqjen e barrierave tregtare dhe aplikimin e standardeve të BE, që kanë ulur ndjeshëm koston e të bërit biznes në të gjitha vendet. Draghi tha gjithashtu se Europa Qendrore dhe Lindore po cenohet në mënyrë të pabarabartë ndaj goditjeve ndërkombëtare, si c’janë tarifat e makinave, që përbëjnë 30% të eksporteve të manifakturës.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.