Konflikti për emigrantët në BE – Franca mbështet sanksionet për vendet që refuzojnë azilantët
Franca mbështet vendosjen e sanksioneve financiare për vendet e Bashkimit Europian që dëbojnë emigrantët me status të vërtetuar si azilantë, sipas presidentit Emmanuel Macron, duke thelluar ndasitë mes vendeve anëtare mbi krizën e emigrantëve.
“Nuk mund të kemi vende që përfitojnë në mënyrë masive nga solidariteti i Bashkimit Europian dhe që ngrenë ashpër zërin për çështjet e lidhura me emigrantët”, tha Macron.
Liderët e BE do të zhvillojnë një takim emergjent në Bruksel për të diskutuar konfliktet mbi emigrimin, me synim që të parapërgatiten për samitin formal të BE në fund të javës së ardhshme. Macron i bëri komentet pas takimit të tij të parë me kryeministrin e ri të Spanjës, Pedro Sanchez.
“Ajo që presidenti i Këshillit, Donald Tusk, po propozon, është vendosja e platformave të zbarkimit në vendet tranzite jashtë Bashkimit Europian”, shtoi presidenti Francez.
Të dy liderët ranë dakord se duhet të hapen qendra të reja në Europë për të shqyrtuar aplikimet e azilkërkuesve. Këto do të vijnë përveç “platformave të zbarkimit” jashtë BE, ku kërkesa për azil mund të vlerësohet përpara se azilkërkuesit arrijnë në Europë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.