Korea e Jugut gjobit BMW – Masa në $10 milionë për zjarrin në motor
Autoritetet në Korenë e Jugut bënë të ditur ditën e Hënë se do të gjobisim prodhuesin gjerman të makinave, BMW, me 10 milionë dollarë, prej mosreagimit të kompanisë për rastet ku janë raportuar zjarr në motor.
Ministria e Transportit deklaroi se paneli i hetimit kishte arritur në përfundim pas 5 muajsh të hetimeve se BMW është përpjekur të mbulojë problemet teknike dhe ka reaguar shumë ngadaltë për të tërhequr makinat nga rrugët.
Thuajse 40 raste të makinave që kanë marrë flakë janë raportuar më herët gjatë vitit. Ministria zbuloi se zjarri shkaktohet nga valvolat difektoze në sistemin e riqarkullimit të gazit të shkarkimit (EGR coolers). BMW kërkoi ndjesë dhe tërhoqi 172 mijë makina të 65 modeleve të ndryshme në Korrik dhe Tetor prej rasteve të raportuara. Njësia e BMW në Korenë e Jugut deklaroi se zbulimet e ministrisë ishin të njëjta me vlerësimet e vetë kompanisë.
Lënda ftohëse në sistemin e riqarkullimit kur bashkohej me karbonin dhe mbetjet e naftës, mund të shkaktonte zjarr kur makina ndodhej në shpejtësi të lartë për një periudhë të gjatë kohe. BMW deklaroi se çështja mund të zgjidhet duke ndërruar pajisjen hardware difektoze. Kompania nuk i’u drejtua në mënyrë direkte akuzave të ministrisë. “BMW po bashkëpunon me hetimet e fundit dhe është angazhuar që të zgjidhë problemin”, deklaroi kompania gjermane.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.