Korea e Jugut “mposht” bitcoin – Do të rregullojë tregtimin dhe mbyllë bursat, kriptovalutat bien
Bitcoin rinisi rënien ditën e Enjte, ndërkohë që Qeveria e Koresë së Jugut lajmëroi se do të prezantojë rregulla të reja për të futur brenda kuadrit rregullator tregtinë e monedhave dixhitale brenda vendit.
Shqetësimet erdhën prej mundësisë së mbylljes së bursave të kriptovalutave në vend. Bitcoin ra me 10% në 13,800 dollarë në tregtinë aziatike, pas lajmërimit. Korea e Jugut do të identifikojë transaksionet në kriptovaluta dhe do të ndalojë ofertat e llogarive virtuale nga bankat apo bursat e këtyre monedhave.
Politkëbërësit do të vlerësojnë masat, përfshirë mbylljen e bursave, që është sugjeruar nga Ministria e Drejtësisë. “Spekulimi i kriptovalutave ka dalë jashtë kontrollit në Korenë e Jugut.
Qeveria nuk mund të lejojë që kjo situatë anormale të zgjasë më shumë”, shkruan në një deklaratë Zyra e Koordinimit të Politikave Qeveritare. Autoriteti monetar i Singaporit paralajmëroi javën e kaluar se blerësit e monedhave dixhitale duhet të parapërgatiten për të humbur të gjithë paranë e investuar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.