Koronavirusi ”anulon” Samitin e G7/ Trump bën publik vendimin!
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka anuluar Samitin e G7-ës, i cili ishte parashikuar të mbahej në qershor, në Uashington, për shkak të krizës me koronavirusin, i cili është përhapur në gjithë globin.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, tha se udhëheqësit do të bisedojnë “në baza virtuale, në mënyrë që të gjitha ekonomitë t’i përqendrojnë burimet në trajtimin e sfidave shëndetësore dhe ekonomike, që paraqet sëmundja COVID-19”.
“Shtëpia e Bardhë gjithashtu njoftoi anëtarët e tjerë të G7 se për të vazhduar koordinimin e ngushtë, ndaj presidenti Donald Trump, do të thërrasë drejtuesit përmes një teleconference në Prill dhe Maj ashtu sikurse bëri këtë javë.”
Gjatë videokonferencës së së hënës, udhëheqësit e G7 ranë dakord të koordinojnë përgjigjet e tyre ndaj pandemisë edhe pse shfaqen disa shqetësime midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me kufizimet e udhëtimit dhe përpjekjet për të zhvilluar një vaksinë.
“Duke vepruar së bashku, ne do të punojmë për të zgjidhur rreziqet shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19 dhe të vendosim fazën për një rikuperim të fortë të rritjes dhe prosperitetit të fortë, të qëndrueshëm ekonomik”, kanë deklaruar anëtarët e G7 nëpërmjet një telekonference.
Trump dhe udhëheqësit e tjerë ranë dakord të bëjnë “gjithçka që duhet” për të luftuar koronavirusin nga një këndvështrim shëndetësor, si dhe efektet e tij ekonomike”, tha këshilltari i lartë ekonomik Larry Kudlow.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.