Koronavirusi: Franca konfirmon rastet e para në Europë, ndërsa numri i viktimave në Kinë rritet në 41!
Franca ka konfirmuar sot rastet e para të virusit kinez për Europën, ndërkohë që numri i viktimave në Kinë ka shkuar më shumë se 40 njerëz.
Të Premten në mbrëmje, Ministri i Shëndetësisë i Francës, Agnès Buzyn, konfirmoi rastet e para të njohura të koronavirusit në Europë. “Ka tre individë të infektuar me këtë virus, dy në Paris dhe një në Bordo, dhe të gjithë janë shtruar në spital dhe janë në izolim.” Të tre personat në fjalë kishin qenë kohët e fundit në Kinë, shtoi ministria e shëndetësisë në Francë.
Buzyn tha se ka të ngjarë që të ketë të tjera raste në Europë pasi paralajmëroi që njerëzit që kanë udhëtuar në Kinë të shmangin vajtjen në dhomat e urgjencës në rast se kanë simptoma. “Është pikërisht në dhomat e urgjencës në realitet që njerëzit rrezikojnë të kontaktojnë me të tjerët,” u tha Buzyn gazetarëve.
Në vend të kësaj, njerëzit duhet të telefonojnë shërbimin shëndetësor në Francë, në mënyrë që punonjësit e urgjencës të mund t’i ndihmojnë ata dhe t’i izolojnë ata nga njerëzit e tjerë.
Më shumë se një mijë raste janë konfirmuar në Kinë, me 39 nga 41 vdekjet në provincën Hubei, ku është dhe epiqendra e shpërthimit të virusit.
Australia njoftoi rastin e parë të Shtunën, një burrë kinez në të 50-at që javën e kaluar u kthye nga Kina.
Malajzia tha që tre persona testuan pozitiv të premten, të gjithë të afërmit e një babai dhe biri nga Wuhan të cilët ishin diagnostikuar me virus më herët në Singaporin fqinj.
Shtetet e Bashkuara raportuan rastin e dytë, një grua në Chicago rreth të 60-ve e cila u shtrua në spital në izolim pas kthimit nga Kina.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shpërthimi nuk ishte ende një emergjencë globale shëndetësore.
Ghebreyesus foli pikërisht pas mbledhjes së dytë të komitetit të urgjencës WHO, i cili u mblodh për të enjten për të debatuar mbi epideminë. (Euronews)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.