Koronavirusi godet bursat – Investitorët i shqetësohen pasojave ekonomike. Tregjet botërorë, në rënie
Investitorët në të gjithë botën janë tronditur nga përhapja e shpejtë e virusit në Kinë dhe bursat janë hapur në rënie të mprehtë në nisje të Javës. Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar rastin e 5 dhe virusi është identifikuar në Singapor, Korenë e Jugut, Australi, Kanada, Francë, Japoni, Malajzi dhe Vietnam.
Indeksi europian Stoxx 600 ra me 1.7% në nisje të tregtisë, ndërsa kontratat futures për hapjen e tregtisë amerikane ranë me 400 pikë.
Ndërkohë që shumica e tregjeve në Azi kanë qëndruar të mbyllura për Vitin e Ri kinez, indeksi Nikkei i Japonisë ra me më shumë se 2% dhe Topix humbi 1.6%. Mospranimi i rrezikut vjen si pasojë e shqetësimeve mbi një goditje ekonomike nga virusi, ndërkohë që ekspertët rikujtojnë ndikimin e SARS në vitin 2003.
Analistët thonë se ekonomia kineze do të pësojë një goditje në afat-shkurtër dhe një rënie në Produktin e Brendshëm Bruto me 1% në gjysmën e parë të 2020. Ndërkohë që epidemia SARS zgjati 3-4 muaj dhe virusi i ri po përhapet shpejtë, është shumë herët për të parashikuar një kohëzgjatje. Aktivet e mbrojtura nga rreziku pësuan rritje në nisje të Javës.
Ari u rrit me rreth 1% në 1,582 dollarë për onz, ndërsa jeni japonez u rrit në 109 kundër dollarit. Franga zvicerane ishte gjithashtu një nga valutat me performancën më të mirë.
Interesat e borxhit qeveritar pësuan rënie, ndërkohë që yield-i i titujve 10-vjeçarë në Shtetet e Bashkuara ra në 1.62% dhe yieldi i bundeve 10-vjeçarë në Gjermani, zbriti në -0.35%.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.