‘Krime masive lufte’: Estonia bëhet vendi i parë i BE-së që akuzon Rusinë për gjenocid në Ukrainë!
Estonia është bërë një nga vendet e para në BE që etiketon veprimet e Rusisë në Ukrainë si gjenocid. Parlamenti i vendit, Riigikogu, votoi pro të enjten për njohjen e luftës së Rusisë si një “gjenocid kundër popullit ukrainas”, duke u bërë thirrje qeverive të tjera dhe organizatave ndërkombëtare që “të bëjnë të njëjtën gjë”. Në një postim në Twitter, ambasadorja e Estonisë në Ukrainë, Mariana Betsa, e përshkroi masën si “një vendim vërtet historik”. “Rusia duhet të mbajë përgjegjësinë e plotë për krimet e saj të tmerrshme”, shtoi ajo.
Gjenocidi përkufizohet në të drejtën ndërkombëtare si vrasja e qëllimshme e njerëzve nga një grup i caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar, me qëllim të shkatërrimit të atij grupi. Forcat ukrainase thonë se kanë gjetur varre masive dhe prova të civilëve që janë qëlluar me këmbë dhe duar të lidhura, ndërsa hetuesit pretendojnë se kanë prova të asaj që duket të jetë vrasja e qëllimshme e civilëve në Bucha, një qytet në periferi të Kievit.
Rusia i kundërshton këto pretendime dhe mohon në mënyrë të përsëritur se nuk ka shënjestruar civilët në Ukrainë. Letonia i bëri jehonë deklaratës së Estonisë të mërkurën pasdite, duke njohur gjithashtu veprimet e Rusisë në Ukrainë si një “gjenocid”. Në një deklaratë, Jüri Ratas, president i parlamentit të Estonisë, tha se “krime sistematike dhe masive të luftës janë kryer kundër popullit të Ukrainës nga Forcat e Armatosura të Federatës Ruse”.
Ratas vazhdoi të pretendonte se “akte gjenocidi” ishin kryer kundër popullatës civile në “qytetet Bucha, Borodianka, Hostomel, Irpin, Mariupol dhe shumë vendbanime të tjera ukrainase. Ai shtoi se ‘këto kanë konsistuar në vrasje, zhdukje me forcë, dëbime, burgosje, tortura, përdhunime dhe përdhosje të kufomave.’ Deklarata përfundoi me një thirrje për “parlamentet kombëtare dhe organizatat ndërkombëtare që të njohin krimet e kryera” nga Rusia dhe “të forcojnë menjëherë” sanksionet kundër Rusisë.
Në seancën e së enjtes, Parlamenti i Estonisë miratoi gjithashtu një projekt-ligj që ndalon përdorimin e simboleve që mbështesin aktet e agresionit nga shtetet e huaja. Sipas legjislacionit të ri, individët e kapur duke ekspozuar publikisht simbole të lidhura me akte “agresioni, gjenocidi, një krim kundër njerëzimit ose krime lufte” nga shtetet e huaja dënohen me gjoba deri në 32,000 euro (34,800 dollarë).
Kjo vjen pas një ndalimi të kohëve të fundit nga shteti tjetër baltik, Lituania, për përdorimin e shkronjës Z dhe simboleve të tjera që shihen si shprehje e mbështetjes për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. AP
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.