Kundërpërgjigjet Kina – “Nuk duam luftë tregtare, por s’kemi frikë të luftojmë!”
Ministria e Jashtme në Kinë kritikoi ashpër kërcënimet e reja për tarifa nga Donald Trump, duke thënë se ekonomia më e madhe në botë duhet të heqë dorë nga iluzionet, të mbajë pak përgjegjësi dhe të gjejë mënyrën e duhur për të zgjidhur luftën tregtare.
Sipas deklaratës së Ministrisë, Pekini do të duhet të kundërpërgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara shtojnë tarifat ndaj mallrave kinezë të importit. Në disa postime në Twitter, Trump lajmëroi një raund të ri të tarifave ndaj 300 miliardë dollarë mallrave kinezë që nuk kishin qenë më parë subjekt i barrierave tregtare.
Kjo masë e re do të bëhet efektive më datë 1 Shtator. Lëvizja e administratës në SHBA i jep fund armëpushimit të arritur në samitin e G20 në Japoni dhe shton shqetësimet për investitorët mbi ndërprerjen e zinxhirëve botëror të furnizimit.
Kërcënimi i tarifave erdhi papritmas për tregjet financiarë, pasi negociatorët nga të dyja palët sapo ishin takuar në Kinë dhe priteshin zbutje të tensioneve. Tashmë, të gjithë mallrat kinezë që hyjnë në Shtetet e Bashkuara do të jenë subjekt i tarifave. Fatura për veprimin e fundit arrin në 30 miliardë dollarë, apo 0.14% të Produktit të Brendshëm Bruto, megjithatë, pritet të ketë një ndryshim në ekonominë botërore.
Sipas zyrtarëve kinezë, tarifat nuk janë mënyra e duhur për të zgjidhur tensionet dypalëshe tregtare. Lufta tregtare ka tronditur tregjet financiarë për më shumë se 1 vit dhe ka pasur të dhëna se tarifat po ndikojnë negativisht në ekonomitë në të gjithë botën. Ndryshimi i itenerarit tregtar ka qenë pozitiv për vende si Vietnami dhe negativ për vende të tjera si Singapori.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.