Mandatohet “Conte 2” – Presidenti Italian i ngarkon Kryeministrit detyrën për të formuar qeverinë e re
Pavarësisht se “5 Yjet” dhe Partia Demokratike në Itali u dakordësuan për pikën kryesore të marrëveshjes mes tyre, atë të emrit të Kryeministrit dhe pavarësisht faktit se Giuseppe Conte tashmë është mandatuar zyrtarisht edhe nga Presidenti i Republikës për të formuar qeverinë e re, marrëveshja e koalicionit dhe kapërcimi i krizës në vend nuk mund të quhet i kapërcyer.
Mes Di Maios dhe Zingarettit mbeten ende shumë çështje për t`u zgjidhur. Kjo ka bërë që edhe Conte të pranojë të formojë qeverinë e tij të dytë me rezerva. Pranimi i detyrës me rezerva është një formulë teknike që parashikon më pak konsultime mes kryeministrit të mandatuar dhe partive si dhe zgjidhjen pozitive apo negative të rezervës në fund të bisedimeve.
Gjithsesi, pas takimit me Presidentin e Republikës ai u shpreh optimist për detyrën e re.
“Do të krijoj një skuadër pune për t`i dhënë fëmijëve tanë mundësinë për të jetuar në një vend më të mirë. Qeveria ime do të jetë një qeveri në emër të risisë, ajo që kërkojnë edhe forcat politike. Nuk do të jetë një qeveri kundër, por për të mirën e qytetarëve. Jetojmë në një fazë delikate për vendim, prioriteti është buxheti,”- u shpreh Conte.
Pika e parë për t`u kapërcyer është ajo se, koalicioni i ri, sipas rregullave të brendshme të Lëvizjes 5 Yjet duhet të votohet nga anëtarët e partisë. Votimi do të bëhet online, kështu që nuk do të kërkojë shumë kohë. Pika e dytë është ajo e emrave të kabinetit qeverisës.
Së fundmi, një ndërhyje e Beppe Grillos, themelues i 5 Yjeve, ka ngatërruar më shumë gjërat. Grillo ka kërkuar formimin e një qeverie teknike, pra me ministra kompetentë në fushat respektive. Ndër emrat që po qarkullojnë për ministrin e financave dhe ekonomisë është ai i Salvatore Rossit, ish drejtor i bankës së Italisë.
Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë mandatimit të Contes për nje qeveri të dytë, duke “festuar” kështu largimin e Salvinit nga qeveria dhe ndalimit për momentin të një zgjerimi të fuqisë së tij në elektorat.
Lideri i Ligës, për të parën herë ka pranuar publikisht në një emision televiziv se ka gabuar me zgjedhjen e tij për të braktisur qeverinë, pasi sipas tij, nuk e kishte menduar kurrë se, disa deputetë “renzianë” do të preferonin më shumë një qeveri të Topolinos sesa të shkonin në votime.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.