Marrëveshja e huasë, rreth 35 mln dollarë shtesë për rrugën Tiranë-Elbasan
Qeveria ka depozituar në Kuvend një tjetër marrëveshje huaje me Bankën Islamike për Zhvillim, për financimin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Marrëveshjet në fjalë konsiston në akordimin e financimit shtesë për projektin e kësaj rruge me një vlerë prej rreth 35 milionë dollarësh dhe afati për përdorimin e këtyre fondeve është deri në 3 vjet.
Nga Banka Islamike për Zhvillim në vitin 2011 është akorduar një kredi në vlerën e rreth 223 milionë dollarëve për financimin këtij aksi.
Sipas relacionit të qeverisë, për përfundimin e plotë të projektit, i cili ka hasur probleme për shkak të rrëshqitjeve të ndodhura përgjatë këtij aksi, do të akordohet një financim shtesë me kredi nga Banka Islamike për Zhvillim, në vlerën prej 35 milionë dollarëve.
Qeveria argumenton se shkaqet kryesore që kanë ndikuar në mosfinalizimin e projektit lidhen me problemet gjeologjike, si rrëshqitjet dhe lëvizjet gjeoteknike në zonën e Mulletit. Gjatësia totale e zonave problematike ku është e nevojshme ndërhyrja është 4 km.
Zërat kryesore që duket se kanë peshën më të madhe në këto punime janë gërmimet, masat mbrojtëse të cilat i mbrojnë nga rrëshqitjet, punimet që do të kryhen për spostimet e rrjeteve të shtyllave të tensionit të lartë, studimet dhe monitorimet gjeologjike e gjeoteknike etj.
Shuma e huasë që kërkohet nga qeveria thuhet se do të shkojë për punimet civile, shërbimet e konsulencës, shpenzimet për njësinë e zbatimit të projektit dhe shpenzimet për auditin.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.